Zbulohen njëri pas tjetrit rastet e rënda të abuzimit seksual të vajzave të mitura. Numrit të madh të rasteve të regjistruara kohëve të fundit, u është shtuar edhe një tjetër rast pedofilie që ka ndodhur ditëve të fundit në qytetin e Dibrës. Sipas të dhënave të policisë, në këtë qytet, një 41-vjeçar ka përdhunuar një vajzë gjashtë vjeçe. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të shtunën pasdite, kur burri me inicialet P.D., ka abuzuar me vajzën e mitur në një nga arat në periferi të Dibrës.
Hetimet e policisë kanë konstatuar se fëmija ka parë tmerrin pasditen e së shtunës, kur ka dalë për të shëtitur nëpër qendrën e Dibrës. Rreth orës 14, asaj i është afruar pedofili 41-vjeçar, i cili duke e mashtruar, e ka marrë me vete dhe ka abuzuar me të. Rasti në fjalë është konfirmuar edhe në policinë e Ohrit, e cila është kompetente për rajonin e Dibrës.
“I akuzuari për pedofili e ka takuar vajzën në qendër të Dibrës, në afërsi të postës së qytetit. Duke iu afruar viktimës, ai fillimisht ka biseduar me të dhe ka arritur ta mashtroj. Pas një bisede të shkurtër, 41-vjeçari ka marrë me vete vajzën e mitur dhe e ka çuar në dalje të qytetit, afër rrugës që çon për në Strugë. Atje, në një arë në afërsi të stacionit të autobusëve, ai ka abuzuar seksualisht me vajzën dhe ka kënaqur me të epshet seksuale”, thotë Stefan Dimovski, zëdhënës i policisë së Ohrit. Siç bëhet e ditur, pas abuzimit - burri e ka kthyer vajzën e mitur në qytet, ndërsa pas kthimit në shtëpi, ajo është rrëfyer para të ëmës lidhur me tmerrin që kishte përjetuar. (koha.mk)