Të gjitha marrëveshjet e arritura mes Beogradit dhe Prishtinës janë në kundërshtim me interesat e serbëve dhe pamundësojnë mbijetesën e tyre në Kosovë, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga i ashtuquajturi Këshilli nacional serb i veriut të Kosovës (KNS).
Ky këshill i bashkohet iniciativës së bashkësive të komunave veriore të Kosovës rreth përgjegjësisë politike dhe penale të kryenegociatorit serb Borisllav Stefanoviq për shkak të veprimtarisë së tij anti-kushtetuese.
Kryetari i KNS-së, Millan Ivanoviq ka vlerësuar se zgjidhja e propozuar rreth menaxhimit të përbashkët të kufirit, paraqet pranimin e plotë të pavarësisë së Kosovës, dhe si e tillë cenon interesat nacionale e shtetërore të Serbisë.
Në këtë komunikatë akuzohet edhe kryetari serb Boris Tadiq për pasojat e politikës së tij të gabuar ndaj Kosovës.
“Kryetari Tadiq thotë se nuk mund të vihet në pyetje vendimi i fuqive të mëdha dhe me këtë ai de fakto pranon humbjen e Kosovës, gjë që është kundër kushtetutës së Serbisë”, thuhet në fund të kësaj komunikate.
*******
Serbët protestojnë në veri të Mitrovicës
Me një minut heshtje, rreth 2 mijë serbë kanë protestuar të mërkurën në veri të Mitrovicës kundër vrasjes së Sava Mojsiq dhe plagosjes së dy personave tjerë ditë më parë në lagjen “Kroi i Vitakut” në veri.
Në këtë protestë përveç familjarëve, ka folur edhe nënkryetari paralel në veri të Mitrovicës, Momir Kasalloviq, përfaqësuesi i serbëve të “Kroit të Vitakut”, Sinisha Llaziq, si dhe disa përfaqësues tjerë të strukturave paralele.
Protesta ka zgjatur rreth një orë, ndërsa nuk është shënuar ndonjë incident./Kosovapress/