Ja çfarë dëshmuan për Limajn

Ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Azem Syla, Sokol Bashota, Rexhep Selimi e Sylejman Selimi, janë pyetur nga prokurori i çështjes për rolin e tyre në luftë, por kryesisht interesimi i tij ka qenë për të akuzuarin kryesor në rastin “Kleçka”, Fatmir Limajn. Gazeta 'Kosova Sot" zbardh detaje nga dokumentet e siguruara lidhur me dëshmitë e tyre.

Në dokumente, të cilat i ka siguruar gazeta, në procedurën e intervistimit nga prokurori Maurisio Salustro, kryesisht dominojnë pyetjet lidhur me kohën nëse Fatmir Limaj ishte në Kosovë apo në Shqipëri gjatë prillit të vitit 1999. Njëri nga komandantët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, sipas dokumenteve, është pyetur nga prokurori Salustro nëse ai ishte anëtar i UÇK-së gjatë luftës, kurse Syla i ishte përgjigjur se ai ishte komandant dhe më vonë ishte ministër i Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së përkohshme. Syla është pyetur nëse e njihte Bislim Zyrapin, kurse ai ishte përgjigjur se me atë është takuar në vitin 1998.“Kam një konsideratë të lartë për të, edhe pse ai ishte oficer i Ushtrisë jugosllave. Me sa më kujtohet, gjatë një kohe ai ishte në Bosnjë, ku i ishte bashkuar ushtrisë së Bosnjës, e cila luftonte kundër Milosheviqit. Kur plasi lufta në Kosovë, ai ishte midis oficerëve të parë të Ushtrisë jugosllave që erdhi dhe iu bashkua UÇK-së”, tha Syla. Ai tha se së bashku me Xhavit Halitin kishin ardhur ta shihnin atë në Tiranë.

Prokurori Salustro ishte interesuar të dinte se a kishte ardhur Zyrapi me Fatmir Limajn, kurse Syla është përgjigjur me jo.“Jo, Zyrapi erdhi i pari. Limaj erdhi më vonë. Nuk jam në gjendje që të flas në hollësi. Limaj ishte personi i dërguar në emër të Qeverisë. Ai ishte zëvendës i ministrit të Mbrojtjes. Asokohe nuk ekzistonin dallime të qarta midis funksioneve të njerëzve: të gjithë ishin të përfshirë në gjithçka dhe të gjithë ne ishim të përfshirë në logjistikën e veprimit dhe përkrahjes morale të ushtarëve”, u përgjigj ai.

I intervistuari i prokurorit Salustro ka qenë edhe Sokol Bashota, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Bashota ka pranuar se ka qenë pjesëtar i UÇK-së gjatë luftës dhe ka shtuar se ishte pjesë e Drejtorisë politikë të Shtabit të Përgjithshëm, që nga viti 1998 e deri në përfundimin e luftës, si dhe deri në demilitarizimin e UÇK-së.

Në pyetjen e Salustros, Bashota është përgjigjur se në vitin 1999 ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm, kurse lëvizte nëpër tërë Kosovën.“Kisha detyra specifike në kontaktet me komunitetin ndërkombëtar, për shembull me Uilliam Uokerin nga OSBE-ja dhe Shon Bërns nga KDOM-i amerikan. Mbanim mbledhje në vende të ndryshme”, është shprehur ai. /Kosova Sot/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat