Përfundoi takimi për lëvizje të lirë

Ka përfunduar takimi i parë mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel ku është diskutuar për implementimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë.

Burime të KosovaTimes.net bëjnë të ditur se në takimin e paradites, temë e vetme e dialogut ka qenë implementimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, për të cilën palët janë pajtuar disa muaj më parë.

“Sot pasdite, palët do të vazhdojnë dialogun me tema të tjera të parapara në agjendë. Dialogu është paraparë të vazhdoj edhe nesër”, ka thënë burimi i KosovaTimes.net.

Në këtë raund të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë do të bisedohet për problemin e moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë si dhe për çështjet për të cilat tash një kohë po diskutohet siç janë çështjet e telekomunikacionit, energjisë dhe bashkëpunimi rajonal. Po ashtu pritet që në takimin e pasditës, ose nesër, të shtrohet çështja e menaxhimit të integruar të kufirit shtetëror mes dy vendeve.

Në delegacion të Kosovës janë edhe, Lirim Greiçevci - këshilltar politik i Kryeministrit, Dren Zeka - këshilltar kryesor politik i Zëvendëskryeministres Tahiri, Arjeta Rexhaj – këshilltare Politike, Gazmir Raci – këshilltar Politik, Elona Cecelia – këshilltare Politike, Visar Xani – Këshilltar Politik, Ibrahim Gashi - zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Edon Cana – Koordinator për bashkëpunim rajonal në ZKM, Naim Huruglica – Drejtor i Doganave të Kosovës, Fisnik Rexhepi – Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme, Qemajl Marmullakaj- Zyrtar i lartë për planifikim të politikave (ZKM), Shaban Guda- Policia e Kosovës./kosovatimes/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat