Proteston Presheva dhe Bujanoci: Duam përdorimin e flamurit, stop diskriminimit (foto, video)

Në Bujanoc me fillim në ora 12 dhe në Preshevë në ora 13 është mbajtur protesta mbarëpopullore kundër diskriminimit të vazhdueshëm të Beogradit zyrtar, në të gjitha lëmenjtë e jetës që po e ushtron, ndaj shqiptarëve të këtij rajoni, veçmas në lëmin e arsimit dhe përdorimin legal të simbolit kombëtar. Pas vendimit të Kuvendit të Këshilltarëve shqiptarë të Luginës, gjatë muajit shtator janë mbajtur dy protesta njëra në Bujanoc e tjetra në Preshevë, ndërsa kjo është protesta e tretë kundër kufizimeve imponuese në simbolin tonë kombëtarë i cili paraqet edhe pjesën qensore të identitetit tone nacional.

Presheva.com ju paraqet kërkesën e shtruar nga ky Tubim protestues drejtuar të gjithë faktorit relevant:

Fjala përshëndetëse me rastin e Protestave në Bujanoc dhe Preshevë me rastin e ditës së flamurit 28.11.2011

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuara motra dhe vëllezër,

Kam kënaqësinë t’ju përshëndes dhe t’u përgëzoj me rastin e 99 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ditën më të dashur të popullit shqiptar, kur në Vlorën heroike, më 28 nëntor 1912, u ngrit Flamuri Kombëtar.

Po mbushen 99 vjet e populli shqiptar vazhdon të jetë i ndarë në dy shtete dhe i shpërndarë në shumë vende të botës.

Pra edhe ne shqiptarët e Luginës së Preshevës pa dëshirën tonë vazhdojmë të jetojmë të ndarë me kufij shtetëror, por asnjëherë nuk e kemi ndalë veprimin tonë në rrugën e realizimit të aspiratave tona kombëtare për bashkim me Kosovën e drejta jonë historike dhe politike e shprehur edhe me Referendumin e vitit 1992, pastaj me luftën çlirimtare të ish UÇPMB-së si dhe me Marrëveshjen Paqësore të Konçulit dhe platformave të tjera politike.

Motra dhe vëllezër,

Lugina e Preshevës vazhdon të jetë e tensionuar, si pasojë e vijimit te politikës së injorimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut nga politika zyrtare e Beogradit dhe nga mungesa e duhur e vëmendjes së faktorit ndërkombëtar për këtë rajon.

- Mospërfillja e  kërkesave për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës,

- Arrestimet në vazhdimësi të shqiptarëve,

- Moslejimi i përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqip dhe simboleve kombëtare,

- Militarizimi i Luginës me forca të uniformuara paraushtarake dhe ushtarake, janë probleme me të cilat po ballafaqohemi për ditë.

Pavarësisht nga këto probleme të natyrës politike ne kemi mbledh forcë që me dinjitet të protestojmë në vend që të festojmë me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar, me shpresë se në një të ardhme jo të largët edhe këtë problematikë ta rregullojmë me ligj.

Ne  e  konsiderojmë veten si pjesë e zgjidhjes në dobi të të drejtës legjitime të popullit të Luginës së Preshevës për mirëqenie në dobi të paqes, stabilitetit, demokracisë, prosperitetit dhe integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në strukturat Euro-atlantike.

Gëzuar 28 Nëntori Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. Gëzuar Dita e Flamurit Kombëtar. Gëzuar festat kombëtare!

{youtube width="650" height="450"}uLHmeXcngDQ{/youtube}

 

____________________________________________________

Të nderuar pjesmarrës,

Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë duke u përballur me  diskriminimin sistematik shtetërorë, që me dekada po i  imponohet në sfera të rëndësishme jetësore.

Ky diskriminim reflekton në realizimin e të drejtave tona individuale, por, edhe atyre kolektive, prej të cilave, për sot, jemi grumbulluar të protestojmë për të drejtën e përdorimt të lirë të simbolit tonë kombëtar.

Duke imponuar zgjidhje ligjore johumane dhe që janë në kundërshtim me standardet europiane, por, edhe standardet e reja që po krijojnë presedane në Ballkan, siç është Plan i presidentit Ahtisari, ky shtet duke mos lejuar përdorimin e lirë të simbolit kombëtar, na cënon edhe të drejtën tonë të shprehjes së identitetit kombëtarë.

Simboli kombëtar, krahas gjuhës, traditës, kulturës, paraqet elementin qensorë të identitetit tonë si pjesë e një kombi shqiptarë në Ballkan.

Me këtë rast kërkojmë nga autoritetet shtetërore ndërprerjen e praktikës diskriminuese, sipas të cilës shqiptarëve të Luginës së Preshevës i pamundësohet përdorimi i lirë i simbolit kombëtar: Flamurit me fushë të kuqe me shqiponjën dykrenare me ngjyrë të zezë në mes”.

“Të gjithë para ligjit janë të barabartë dhe kanë të drejtë në mbrojtje të barabartë ligjore pavarësisht dallimeve. Në këtë kontekst duhet ndaluar çdo diskriminim dhe duhet siguruar të gjithëve mbrojtje efikase nga çdo lloj diskriminimi” thuhet në dispozitat e Paktit ndërkombëtarë për të drejtat qytetare dhe politike.

Sipas kësaj logjike Liria e të shprehurit nuk njeh kufijtë ndërshtetërorë, Liria e të shprehurit duhet  të jetë e plotë pa ndërhyrje të autoriteteve shtetërore.

Konventa europiane për mbrojtjen e të drejatve të njeriut  dhe lirive themelore, në nen. 10 poashtu granton se “secili ka të drejtën në lirinë e të shprehurit e cila duhet të realizohet pa ndërhyrje të autoriteteve shtetërore”.

Nisur nga fakti se mbrojtja e të drejtave dhe lirive të komuniteteve pjesë përbërëse e mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave të njeriut;

Nisur nga fakti se realizimi i plotë i të drejtave kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës  duhet të paraqesin komponentat bazë  të një politike paqëdashëse;

Ndërkohë që mbrojtja e të drejtave të tyre paraqet (ashtu si të popujve tjerë) wshtw pjesë e pandashme e mbrojtjes ndërkombëtare të të drejatave të njeriut, kërkojmë nga uatoritetet shtetërore ndërprerjen e menjëhershme të praktikave diskriminuese në këtë sferë duke krijuar hapësirë të volitshme politike, por edhe kornizë adekuate ligjore për përdorimin e lirë të simbolit kombëtarë shqiptar.

E vëmë në dijeni, se ne asnjëherë nuk do të pajtohemi me kufizime imponuese në simbolin tonë kombëtarë i cili paraqet edhe pjesën qensore të identitetit tone nacional.

Preshevë,  28 nëntor 2011.

Nga tubimi protestues

 






































Photo by Krenar HALIMI, copyrights Presheva.com 2011{jathumbnail off}


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat