
Bislim Hashimi nga fshati Banjskë e komunës së Vushtrrisë, edhe pak ditë, rrezikon të mbetet pa shtëpinë dhe pronën e tij.
Ai së bashku me gruan dhe fëmijët duhet të dalë nga shtëpia për shkak se axha i tij, Ferizi, e ka futur pasurinë e tij në hipotekë.
Feriz Hashimi, vitin e kaluar kishte qenë garantues në marrjen e një kredie në “Bankën Kombëtare Tregtare”, për kompaninë “ISPP” nga Shqipëria, me përfaqësues djalin e tij Rrahimin.
Kredia prej 90.532 euro nuk është kthyer në afat, sipas marrëveshjes.
Më së keqi, në këtë rast, ka pësuar Bislimi, i cili thotë se as që ka qenë i informuar për këtë kredi.
Sipas tij, para marrjes së kredisë, axha i tij e ka bartur të gjithë pasurinë në emër të vet, duke i fshehur trashëgimtarët e tjerë.
Prona që do të merret nga banka për kompensimin e kredisë është një hektar e 23 ari, e gjithë kjo pasuri, tani në pronësi të Bislim dhe Feriz Hashimit.
Në ankandin e dytë publik që u mbajt këtë javë në Gjykatën Komunale të Vushtrrisë, Ferizi deklaroi se është vënë në lajthim nga djali i tij. “Nuk e kam ditë se unë nuk do të duhet ta kthej kredinë”, deklaroi ai.
Ndërkohë që Bislimi tha se tokën e ka ndarë moti me axhën. “Unë mendova se sot do të mbahet seanca për tërheqjen e tokës prej hipoteke”, u shpreh ai.
“Ju keni të drejt plotësisht, mirëpo axha yt të ka mashtru”, tha gjyqtarja Kada Bunjaku.
Me këtë rast, është iniciuar procedurë penale ndaj Ferizit, për shkak të fshehjes së trashëgimtarëve në procedurë trashëgimore.
Seanca u shty për shkak se nuk kishte asnjë ofertues, ndërkohë që ankandi i fundit publik do të mbahet në fund të muajit dhjetor./gazetajnk/