Kisha dhe banorët maqedonas të Lazhecit nuk duan xhami në fshat

Banorët maqedonas të fshatit Lazhec të mbështetur nga Kisha Ortogokse Maqedonase, sërish janë ngritur kundër ndërtimit të xhamisë së fshatit. Ata kanë vendosur barrikada në lokacionin e ri ku duhet të ndërtohet xhamia. Myftinia e Manastirit pret kthimin e kryeministrit Nikolla Gruevski që të nisin me ndërtimin e xhamisë. Myftiu i Manastirit, Pëllumb Veliu thotë për “Lajm” se me këto veprime banorët maqedonas e treguan fytyrën e vërtetë, ata nuk duan që të ketë xhami në fshatin Lazhec. “Ne i bëmë të gjitha lëshimet për hir të bashkëjetesës. Pranuam kompromis nga kryeministri dhe ambasadorët dhe ata qëndruan si garanci që xhamia do të ndërtohet, prandaj edhe ne pranuam dhe e ndërruam lokacionin”, thotë Veliu. Ai I fton të gjithë ata që garantuan, kryeministrin dhe faktorin ndërkombëtar që ta bëjnë xhaminë, pasi, siç thotë ai, ata do ta kishin ndërtuar xhaminë në vendin ku ishte paraparë. “Tash vetë u demaskuan dhe e treguan fytyrën e vërtetë, gjë që ne e dinim që në fillim. U demaskua edhe Kisha Ortodokse Maqedonase,  pasi aty doli dhe një prift, Mene Oliver në mbrojtje të krishterimit”, thotë Veliu, duke shtuar se tani presin kryeministrin që të kthehet dhe të nisim ndërtimin e xhamisë, pasi, siç thotë ai kryeministri dhe faktori ndërkombëtarë qëndrojnë si garancë.

Ai thekson se xhamia do të ndërtohet dhe se ata nuk do të tërhiqen. “Sido që të jetë ne nuk do të tërhiqemi. Edhe pse kemi harxhuar mjaft për të përgatitur ndërtimet në lokacionin e ri ku u morëm vesh, nëse nuk na lejojnë që ta ndërtojmë aty, ne do ta ndërtojmë xhaminë aty ku ishte paraparë më parë dhe nuk do të mbajmë asnjë përgjegjësi për çfarëdo që të ndodhë”, tha Veliu.

Para disa vjetëve në qendër të fshatit Lazhec nisi ndërtimi i xhamisë së fshatit, në lokacionin ku kishte qenë dikur,  por ajo u pengua nga banorët maqedonas të fshatit. Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë (BFIM) lëshoi pe dhe me ndërmjetësim të qeverisë dhe faktorit ndërkombëtar i pranoi kërkesat e banorëve maqedonas që xhamia të mos ishte në qendër të fshatit./lajmpress/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat