Dy kryenegociatorët konfirmojnë marrëveshjen

Është arritur marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve. Kjo është konfirmuar sot edhe nga dy shefat e grupeve negociuese të Prishtinës dhe Beogradit.

Kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se me Menaxhimin e Integruar të Kufirit, përfshihen gjashtë vendkalime kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Ndërsa, Shefi i ekipit negociator, Borko Stefanoviq tha se në pikat e përbashkëta të “linjave administrative” siç i ka quajtur ai, do të ketë përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe të Policisë së Serbisë, një përfaqësues i Policisë së Kosovës dhe një përfaqësues i EULEX-it, që do të kenë detyra të njëjta.

Gjithashtu, sipas tij, do të ketë edhe një doganier të Kosovës që do të ketë rol mbikëqyrës.

E ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se arritja e marrëveshjes për menaxhimin nënkupton njohje të këtyre kufijve nga ana e Serbisë.

“Ne do të kemi sqarimet adekuate me kohë, por ajo që mund të themi është se Kosova ka kufijtë e saj dhe kufijtë e saj do të jenë të respektueshëm nga të gjithë dhe me këtë marrëveshje janë pranuar edhe nga Serbia”, tha Kuçi.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi nuk ka dashur të komentojë marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Shikoni unë thash edhe më parë se do ta vlerësojmë dhe do të japim mendimin tonë për të. Parimisht unë nuk jam kundër marrëveshjeve, por ato marrëveshje duhet të kenë një bazë”, ka thënë Krasniqi.

Në deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Evropian thuhet se palët gradualisht do të vendosin pikëkalimet e përbashkëta, të integruara, të vetme dhe të sigurta në të gjitha vendkalimet e përbashkëta.

Në të njëjtën deklaratë pohohet se EULEX-i do të jetë i pranishëm në përputhje me mandatin e tij./rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat