Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për marrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë.
Parashtruesi i kërkesës, Visar Ymeri, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, lexoi tri pikat e mocionit, të cilat më pas u miratuan me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm në sallë.
”Pika një” qeveria t’i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë. Pika dy: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ta nxisë dhe udhëheqë bashkëpunimin me prodhuesit vendorë dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia. Nën tre: Qeveria t’i forcojë të gjithë mekanizmat shtetërorë për të siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë”, tha Ymeri, duke lexuar pikat e mocionit.
Ky mocion u miratua me 44 vota për, 33 ishin kundër, ndërkaq 2 deputetë abstenuan.
Ky ishte një prej rasteve të rralla kur opozita ia del të miratojë një nismë, duke siguruar shumicën në Kuvend./rel/