
Gazeta JnK mëson se zyrtarët e arrestuar të QKRC-së janë Vëllaznim Sokoli dhe Sali Sokoli, kurse zyrtari nga gjykata është Afrim Gashi, referent në Zyrën e Certifikatave nën hetime.
Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe të korrupsionit (DHKEK) njoftoi se ka arrestuar të enjten katër personat. Procesi hetimor që i parapriu arrestimeve ishte iniciuar pas një informate anonime që policia kishte pranuar kohë më parë se në Qendrën Komunale të Regjistrimit Civil (QKRC) në Rahovec është marrë një pasaportë në mënyrë të kundërligjshme, duke mos respektuar procedurat e ligjore.
“Lidhur me ketë informatë në konsultim me Prokurorin Publik hetuesit policorë kanë filluar hetimet dhe gjatë hetimeve janë siguruar prova se personat e dyshuar V. S. dhe S. S., zyrtarë në QKRC në Rahovec kanë bërë shpërdorim të detyrës zyrtare duke pranuar aplikacionin e palës pa qenë prezent dhe duke lëshuar dokument (pasaportë) me autorizim të falsifikuar që është në kundërshtim me ligjin për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit, duke përdorur autorizimin e falsifikuar pranë Gjykatës Komunale në Rahovec”, ka njoftuar policia.
Afrim Gashi, zyrtar administrativ në Gjykatën Komunale në Rahovec dyshohet se ka bërë shpërdorim të detyrës zyrtare duke legalizuar autorizim pa qenë prezent pala që ka dhënë autorizimin.
Kurse A. M dyshohet se ka kryer veprat penale mashtrim dhe dhënie të ryshfetit. Ai, gjatë procedurës për nxjerrjen e pasaportës, në bashkëveprim me zyrtarët e përmendur, ka arritur ta legalizojë dokumentin.
Këto dokumente janë nxjerrë për një person gjatë muajit gusht 2011 me ç’ rast hetimet kanë rezultuar se ai është i burgosur në Gjermani.
Me autorizim të prokurorit përkatës të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh./gazetajnk/