Kuvendi i Kosovës shënon 10-vjetorin

Me një seancë solemne të shtunën u shënua dhjetëvjetori i themelimit të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë katër legjislaturave, sa u ndërruan përgjatë këtyre viteve, Kuvendi thuhet se kishte prioritet “funksionimin legjislativ për të përmbushur vakumin e madh të kornizës ligjore”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalimin e tij para deputetëve, paraqiti bilancin e punës së legjislativit për dhjetë vjet të punës.

424 ligje, 14 rezoluta e po aq deklarata, qindra vendime, qëndrime e rekomandime të miratuara, sipas Krasniqit, hynë në kuadër të asaj që është bërë deri më tani-arritje këto që thuhet se janë harmonizuar me legjislacionin evropian.

“Kuvendi në këto pak vite të veprimit ka kontribuar fuqishëm për përparimin e demokracisë - në përgjithësi në Kosovë, e në mënyrë të veçantë të demokracisë parlamentare”, tha Krasniqi.

Duke folur për synimin e integrimit evropian të Kosovës, kreu i Kuvendit, përmendi krijimin e Komisionit për integrime evropiane dhe tha se në kuadër të përpjekjeve për këtë fushë, Kuvendi analizon dhe Raportet vjetore të Komisionit Evropian.

Jubileun e dhjetë, deputetëve ua uroi dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga përmes një komunikate për media.

“Kuvendi i Kosovës është institucioni kryesor i ndërtimit dhe i harmonizimit të politikave dhe puna e tij në kontrollin demokratik të qeverisjes është shumë domethënëse në ndarjen e pushteteve dhe në respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga presidenca./rel/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat