EULEX-i e di ku janë vrasësit e Zymerit!

Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), megjithëse javët e fundit të krijon përshtypjen e përgjumjes, në hetimin e vrasjes së pjesëtarit të njësisë speciale, ROSU, duket se kanë bërë progres.

Shefi i Zyrës për informim në EULEX, Nicholas Hawton, ka konfirmuar për “Zërin” se përpos që tashmë janë mbledhur të gjitha dëshmitë e mundshme për këtë rast, ata tashmë e kanë identifikuar edhe vendndodhjen e gjashtë personave, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në vrasjen e policit Enver Zymeri.

Hawton nuk e thotë nëse ata janë në Kosovë, apo diku jashtë saj. Tashmë dihet zyrtarisht se për gjashtë të dyshuarit janë të lëshuara edhe njoftimet ndërkombëtare për kërkimin e tyre.

“Të gjashtë personat janë në arrati, ndërsa informacioni në dispozicion sa i përket vendndodhjes së tyre, nuk mund t’i bëhet e ditur publikut për shkak të arsyeve operative”, ka deklaruar për “Zërin”, Hawton.

Enver Zymeri është vrarë më 26 korrik, gjatë përpjekjeve të Njësisë ROSU dhe asaj për intervenim të shpejtë, FIT për të marrë nën kontroll pikën e kalimit kufitar, Porta 31 apo Bërnjakun.

Hetimi për këtë çështje, zyrtarisht quhet i përbashkët mes Task Forcës Mitrovica të EULEX-it, Njësisë së Policisë së Kosovës për Krime të Serioze dhe Njësisë së Hetimeve Rajonale të Policisë në Mitrovicë. Këto njësi koordinohen nga një ekip i përzier hetuesish që përfshijnë prokurorin vendor të Qarkut dhe një prokuror të EULEX-it.

Nicholas Hawton, ndonëse njofton se momentalisht nuk ka hetime të nisura ndaj personave të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me të dyshuarit, nuk e hedh poshtë mundësinë që numri i të dyshuarve apo bashkëpunëtorëve të rritet.

Misioni evropian për sundim të ligjit (EULEX) me kohë e ka bërë të ditur se situata në veri e ka bërë të pamundshme në raste të caktuara të arrijë kapjen apo qoftë edhe marrjen në pyetje të personave të dyshuar. Përpjekjet e EULEX-it, edhe në marrjen e dëshmive apo fakteve në terren, në veri, i ka pasur me vështirësi, për shkak të reagimeve të organizuara të serbëve.

Përpos që disa herë ekipet e këtij misioni dhe KFOR-it nuk janë lejuar të qarkullojnë lirshëm në veri, më 1 nëntor të këtij viti, serbët e kanë pamundësuar edhe qarkullimin e lirë të komandantit të KFOR-it, Erhard Drews dhe zëvendësshefit të EULEX-it, Andrew Sparks. Të dy zyrtarët e lartë ndërkombëtarë janë ndaluar pikërisht në afërsi të vendit, ku ka ndodhur vrasja e policit Zymeri, afër barrikadës së vendosur në Zupçë.

Pamundësia për qarkullim të lirë në veri ka qenë një nga temat e bisedave mes shefit të EULEXit, Xavier Bout de Marnhack dhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, gjatë takimit që është mbajtur të mërkurën në Beograd. Menjëherë pas shkatërrimit të pikës kufitare në veri, Porta 1 apo Jarinje, Boris Tadiq kishte akuzuar ekstremistët e veriut që në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës “dëmtuan interesin serb me dhunë”.

Në takimin Marnhack Tadiq në Beograd, sipas Nicholas Hawton “një temë tjetër ka qenë edhe rritja e bashkëpunimit policor”./zeri/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat