Kryeministri Sali Berisha është detyruar të ndërpresë fjalimin e tij në ceremoninë e 21-vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike, pasi ka shfaqur dobësi fizike.
Kryeministri është ndjerë keq dhe është larguar nga podiumi i ndihmuar nga shoqëruesit e tij, për shkak të një luhatjeje tensioni. Ai ka qendruar pak momente prapa skenës dhe më pas ka lënë Pallatin e Kongreseve i shoqëruar nga skorta e tij.
Pak momente më vonë, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD, ka deklaruar se gjendja e të fiktit e kryeministrit ka ardhur si pasojë e një gjendjeje virale, që nuk ka vend për shqetësim.
Kryeministria: Berisha, lodhje virale
Ndërsa zyra e shtypit e kryeministrit Berisha, në reagimin e saj lidhur me gjendjen shëndetësore të tij, ka deklaruar se tani gjithcka është stabilizuar.
Përmes një njoftimi për shtyp, Kryeministria ka bërë të ditur se, zoti Berisha pati një gjendje lodhjeje në përfundim të fjalës së tij.
“Sipas mjekëve, Berisha ka patur një gjendje dobësie të shkaktuar nga viroza. Gjendja shëndetësore e tij tani është e stabilizuar”, thuhet në deklaratë.
“Kryeminstri Berisha është në gjendje të mirë shendetesore dhe para largimit nga Pallati i Kongreseve konsumoi një kafe me miq e të ftuar dhe me pas u kthye në apartamentin e tij”, vijon njoftimi zyrtar.
Më tej, zyra e shtypit ka shprehur mirënjohjen e kryeministrit për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PD për interesimin e treguar, dhe në emër të tij i ka uruar edhe njëherë ata “gëzuar festën”.
Rama: Uroj të bëhet mirë
Ndërkohë, kryetari i PS, Edi Rama ka reaguar duke shprehur keqardhjen e tij për gjendjen shëndetësore të kryeministrit.
Përmes adresës së tij në rrjetin social Twitter, Rama ka shprehur urimin e tij që shqetësimi i kryeministrit të mos jetë dicka serioze.
“Sapo dëgjova për sëkëlldinë e kryeministrit Berisha në festë. Uroj të mos jetë asgjë serioze dhe që kryeministri të jetë mirë”, është shprehur Rama.
Berisha: 1990, viti i pluralizmit në Shqipëri
Para se të ndërpriste fjalimin në Pallatin e Kongreseve, kreu i qeverisë foli për krijimin e Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si ngjarjen më madhore në vitin 1990.
“Festojmë sot krijimin e partisë së parë pluraliste në Shqipëri. Në vitin 1990 studentët e Tiranës, të udhëhequr nga tribuni Azem Hajdari, do të mblidheshin me një kurajë të pashoq dhe do të gjunjëzonin në rrugë dhe kudo diktaturën komuniste më të egër në Evropë dhe do të themelonin Partinë Demokratike”, deklaroi ai.
Por viti ’90, sipas kryeministrit, nuk është vetëm viti i themelimit të PD, por edhe i lirive dhe të drejtave të njeriut, që sot garantohen me Kushtetutë.
“Por viti 90 është edhe ditëlindja e lirive, kështu që sot ne nuk festojmë thjesht datën e themelimit të një partie, por ne kemi ditëlindjen e dytë, atë të lirive, ndërsa kombi ynë feston ngjarjen më të madhe në historinë e tij që nga 28 nëntori i 1992”, pohoi Berisha.
“Ne sot festojmë vitin e mrekullisë së lirive tona, të garantuara në Kushtetutë, si një vend që ka me dhjetra parti parlamentare e jashtëparlamentare”, u shpreh ai.
Kryetari i padiskutueshëm i PD theksoi se, sot Shqipëria është një vend i fjalës së lirë, votës së lirë, tolerancës fetare, i respektimit të plotë të të drejtave të minoriteteve, si dhe një shtet ku funksionojnë shteti ligjor e rendi kushtetues.
Më tej kreu i ekzekutivit përmendi një sërë arritjesh të shënuara nga kabineti i djathtë, që sipas tij e kanë futur Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian.
“Shqipëria është vendi me të ardhura të mesme më të larta, është vendi me vdekjen foshnjore më të ulët, është vendi ku turizmi në vitet e fundit është 10-fishuar”, tha Berisha.
“Ne qëndrojmë të vendosur, që me reforma të thella të shohim Shqipërinë një vend të zhvilluar e të begatë. Arritjet në fushën e integrimit në vitet e fundit janë meritë e qeverisë së djathtë të Partisë Demokratike”, shtoi ai./TCH/
{youtube width="660" height="450"}H7DHkK1VHA0{/youtube}