PD-ja mbështet Pacollin për president

Partia e Drejtësisë ka qenë dhe është pjesë e Koalicionit për Kosovë të Re. Ky koalicion për president të vendit e ka nominuar liderin e AKR-së, Behgjet Pacollin. Edhe më tutje, Behgjet Pacolli gëzon dhe do ta ketë mbështetjen e Partisë së Drejtësisë në rrugën për t’u bërë president i Kosovës Në një intervistë për “Epokën e Re”, kryetari i Partisë së Drejtësisë (PD), Ferid Agani, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet për përçarje brenda partisë së tij.

Agani ka thënë se në partinë tij nuk ka fraksione, por ka pasur vetëm zëra të individëve, të cilët interesat personale i kanë pasur mbi çdo gjë.

“Nuk ka përçarje brenda Partisë së Drejtësisë, por ka pasur mospajtime dhe mendime individuale. Ka pasur mendime negative ndaj kryetarit të partisë nga individë apo grupe të vogla të individëve. Që nuk ka përçarje brenda Partisë së Drejtësisë është vërtetuar edhe të dielën në Kuvendin e Shtatë Zgjedhor të Partisë”, ka thënë Agani, duke shtuar se akuzat e ish-nënkryetarit të PD-së, Amir Ahmeti, janë të pabaza.

Agani ka deklaruar se partia e tij do të vazhdojë të jetë pjesë e koalicionit qeverisës deri në fund të mandatit.

Ai ka vlerësuar se qeveria “Thaçi 2” deri më tani ka treguar rezultate konkrete. “Koalicioni qeveritar, pjesë e të cilit është edhe Partia e Drejtësisë, është duke funksionuar shumë mirë. Kjo qeveri është duke treguar rezultate tejet konkrete në shumë aspekte të jetës shoqërore dhe politike”, ka vlerësuar ai.
Sipas Aganit, zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen në vitin 2012. Ai ka thënë se Partia e Drejtësisë do ta mbështesë Behgjet Pacollin për president të Kosovës./albeu/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat