Bllaca: I kam dhënë 4 000 faqe deklarata për krime

“E kam fjalën për të dy taborët për të dy terrenet, edhe për krimet gjatë luftës, edhe pas luftës”, shprehet i vetakuzuari për vrasje dhe dëshmitari për krime lufte, Nazim Bllaca në vazhdim të rrëfimit për "Kosova Sot".

Kosova Sot: Sipas jush, kur?

Bllaca: Ndoshta edhe nga viti 2003 mund të jetë, se për vitin 2004 jam shumë i sigurt. Kjo është një lojë shumë e rrezikshme. Por, unë personalisht kam shumë respekt për të, sepse nuk ishte komandant që ka qëndruar brenda duke ngrënë bukë, por Limaj ka qenë komandant i vijës së parë të frontit. Dhe nuk e ka menaxhuar burgun. Jo, jo, këtë nuk mund ta mohojë askush nga ushtarët. Unë burgun e Kleçkës si burg një herë e kam vizituar, edhe atë vetëm nga jashtë. Unë kam shkuar në Divjakë, d.m.th. në Shtabin e Përgjithshëm, mandej në Berishë ku kam shërbyer si ushtar, në një përforcim, mirëpo a ka qenë përgjegjës i Burgut të Kleçkës apo jo Fatmir Limaj, këtë më së miri mund ta thotë Azem Syla. Nëse duam ta ndajmë të mirën e të keqen bashkë, atëherë po e ndajmë të keqen bashkë, e jo vetëm të mirën. E di Azem Syla shumë sigurt dhe Adem Grabovci, që ka qenë udhëheqës i G6 apo G7, nuk jam i sigurt, e di Ramë Buja. Këta të gjithë e dinë, sepse unë e kam thënë edhe hapur dhe prapë po e them, që nuk ka pasur mundësi zoti Limaj të mbajë fshehtë njerëz, t’i menaxhoj ata njerëz, t’i ushqejë ata njerëz fshehurazi nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm. Kjo është e pamundur, është e paimagjinueshme për Bllacën. Nëse janë arrestuar njerëzit gjatë luftës, ka qenë e pamundur të mos ketë gisht Kadri Veseli, për arsye se në çdo shërbim informativ në botë, e që ka qenë “G2” apo ZKZ, që është quajtur Zbulim Kundër Zbulim, këto shërbime ecin një hap para. Këtu janë arrestuar njerëzit, e që Bllaca po thotë po i kemi arrestuar. Këta e kanë ditur më herët kush është, çka e tek është. P.sh., e merr një gazetar, s’po ia përmendi emrin, e merr, e arreston, e burgos, e zhduk, e po dikush duhet të japë përgjegjësi për të. Unë kam qenë më i vogli në ushtri. E kam zbatuar një urdhër. Nëse dikush ka thënë se ushtarët kanë kryer hakmarrje e kanë gabim, ose nëse dikush thotë unë i kam çuar Limajt njerëz.

Limaj, në vijën e parë të frontit

Bllaca nuk mund ta thotë këtë, e unë qëndroj prapa asaj se Limaj ka qenë ushtar në front. Prej të gjithë këtyre që kanë ndenjur në hotele të Tiranës dhe nuk e kanë parë kurrë tankun e Serbisë. Unë Limajn e njoh si njeri të vijës së parë të frontit, bashkë me Tahir Sinanin. Këta të dy kanë qenë dy figurat më të njohurat në front.

“Personat e arrestuar iu dorëzuan Shukri Bujës”

Kosova Sot: T’u kthehemi 1-10 personave që ju i keni përmendur për “Kosova Sot” se i keni arrestuar. Ku kanë përfunduar ata?

Bllaca: Unë qëndroj ndërmjet 1-10 personave të arrestuar. Mund të ndodhë që Bllaca të jetë i implikuar në një rast të arrestimit që ia kam dorëzuar dikujt të arrestuarin. Por, nëse unë them se ia kam dorëzuar dikujt, unë kam prova, kam fakte të gjalla se ku është marrë personi, vendin, dhomën ku e kemi marrë dhe ku e kemi dorëzuar ne. Mandej, këta ku i kanë dërguar, unë nuk e di. Unë Limajt nuk i kam dorëzuar njerëz, por në Komandën e Shukri Bujës. Shukri Buja e di kujt ia ka dorëzuar pastaj.

Kosova Sot: Që të gjithë ia keni dorëzuar Shukri Bujës?

Bllaca: Unë po flas ndërmjet numrit 1-10 persona. Mund të ndodhë që Bllaca të thotë janë 6 raste direkte dhe indirekte. Pra, mund të ndodhë që Bllaca të thotë se jam i implikuar në dy raste direkte, e në tetë raste indirekte. Në sa raste jam i implikuar, Bllaca do ta pranojë për arsye se lojërat që i kanë bërë këta të mëdhenjtë në raport me Limajn janë lojëra të gabueshme. Ata e dinë kush është fajtor, njerëzit po mungojnë. Ata e dinë.

Kosova Sot: Ju po thoni se nga 1-10 persona ia keni dorëzuar Bujës, ndërsa tani po përmendni shifra se në sa raste mund të jeni të implikuar direkt, e në sa indirekt? Duket konfuze pak sa…?

Bllaca: Unë nuk desha ta përmendi numrin e saktë, sepse unë e di deklaratën time që e kam dhënë për krime të lutës para prokurorit, ku janë tre apo katër prokurorë që punojnë në këtë rast. Në rastin “Kleçka” në Brigadën 121, nuk po dua saktë ta jap, sepse unë e di saktë sa persona i kam marrë e u kam thënë, ‘Hej, zotëri, eja me mua se boll ke ndejtë’. Unë e di saktë.

Kosova Sot: Ndonëse po e përmendni Brigadën 121 dhe rastin “Kleçka”, a e keni fjalën për serbë apo shqiptarë?

Bllaca: Jo, të gjithë janë shqiptarë.

“Nuk e di ku i bie Burreli”

Kosova Sot: Ju keni thënë publikisht se ata persona mund të kenë përfunduar në Kleçkë apo në Burrel. Pse e përmendni Burrelin?

Bllaca: Unë për herë të parë emrin Burrel e kam dëgjuar nga Jakup Krasniqi më 3 dhjetor, në Klan Kosova, se Bllaca ka qenë njeri i Burrelit. Unë jam gjeograf, e njoh shumë mirë gjeografinë, për ç’gjë që kam pasur lëvdata edhe nga ministri i Arsimit, por nuk e di ku i bie ky Burreli. Kurrë. Po këta e dinë ku i kanë çuar, a i kanë lënë në Kleçkë, apo ku i kanë dërguar. Nëse vetëm 1%, e tyre kanë shkuar në Burrel, unë do të jem njëri ndër dëshmitarët më të fortë dhe më kredibil që kësaj pune do t’i grah deri në fund. Se këto gjëra, nëse janë bërë, e që unë nuk kam qejf, e ishalla nuk janë bërë, e që besoj shumë se nuk janë bërë, por dikush duhet t’i marrë këto raste përsipër, sepse ka ardhur fundi. I njëjti rast ka ndodhur edhe në Kroaci. P.sh. Gotovina ka qenë ikona e ushtrisë kroate, ka qenë Adem Jashar për ushtrinë kroate, e sot është në burg. Për çka? Për krimet e kryera, e s’është asgjë të pranohet, Azem Syla apo Xhavit Haliti, a dikush, e të thotë: ‘Hej, lëshojeni Limajn, se unë i kam bërë. Unë kam qenë i SHIK-ut. Kjo është ajo. Në rastin e burgut të Kleçkës, unë mendoj se Limaj është më i vogli. Këtë që e them jam shumë i sigurt. Unë po i referohem një dokumenti të Jakup Krasniqit, në të cilin thotë: “Pranë komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së është marrë vendim që Sokol Dobruna të jetë udhëheqës juridik”, d.m.th. këtu kemi të bëjmë me disa persona më lart.

Dëshmitë me qindra deklarata

Kosova Sot: Pritet edhe gjykimi ndaj jush. Ju si e pritni, apo shpresoni se do t’i shpëtoni dënimit pas marrëveshjes që keni arritur dhe jeni dëshmitar bashkë punues i Prokurorisë?

Bllaca: Unë kur kam dalë publikisht kam thënë se jam i gatshëm që dënimin ta paguaj për atë që kam bërë. Edhe tash jam në ato pozicione që çdo vendim që del nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës, apo edhe Gjykata Supreme, Bllaca do ta përqafojë. Normal që janë vepra që i kam kryer dhe unë i kam ofruar gjykatës prova që këto nuk janë veprime që i drejtohen ndokujt si veprime individuale.

Kosova Sot: Sa deklarata i keni dhënë deri më tani?

Bllaca: He, he. Unë prej 30 nëntorit të vitit 2009, qindra deklaratat që i kam dhënë nëpër sfidat e EULEX-it, jam i gatshëm që pikë për pikë t’i them ato që i kam thënë, për arsye se jam autor.

Kosova Sot: Po sa? Sa faqe, sipas jush, janë gjithsej?

Bllaca: Duhet të jenë diku përafërsisht 4 000 faqe. E kam fjalën për të dy taborët për të dy terrenet, edhe për krimet e gjatë luftës, edhe pas luftës.

Kosova Sot: Sa jeni ju i kënaqur me sigurinë tuaj e të familjes suaj nëse ngremë një paralele ndërmjet jush dhe “Dëshmitarit X”, i cili vdiq në Gjermani në rrethana akoma të pasqaruara zyrtarisht nga misioni me të cilin po bashkëpunonte?

Bllaca: Rasti ynë dhe rasti i Agim Zogajt janë dy raste diametralisht të kundërta, për arsye se dalja ime ka qenë publike, ndërkaq e atij është në tjetër formë. Unë po bëhen dy vjet dhe po hyjmë në vitin e tretë, e unë nuk kam vërejtje për sigurinë time. Siguria është në nivel. Siguria është maksimale. Unë po e shoh se EULEX-i, që nga fillimi ka dashur që këtë punë ta nisë mbarë, ta nisë mirë. Këta i përpilojnë vetë disa rregullore, me të cilat mua m’i kufizojnë disa të drejta. Mysafirët verifikohen. Në raport me gazetarët nuk pengojnë, por thonë atë që e thua të kesh kujdes, sepse duhet ta mbrosh.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat