
Ky njoftim për palët në gjykatore është dhënë të mërkurën nga prokurori i EULEX-it, Maurizio Salustro, gjatë seancës procedurale kundër dhjetë ish-pjesëtarëve të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”, të cilët tashmë po akuzohen për krime lufte në Kleçkë të Lipjanit gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Pos këtij njoftimi, prokurori Salustro iu ka ofruar avokatëve edhe katër deklarata të tjera të dëshmitarëve, të cilët i ka marrë në pyetje pas ngritjes së aktakuzës. Prokurori iu ka ofruar mbrojtësve dëshmitë që i ka marrë gjatë intervistimit të familjarëve të dëshmitarit tashmë të vdekur, Agim Zogaj, duke përfshirë deklaratën e babait të dëshmitarit, vëllait të tij e vajzës së X-it.
Këto prova janë kundërshtuar nga avokatët mbrojtës të cilët kanë thënë se konform ligjit, prokurori nuk ka të drejtë të marrë në pyetje dëshmitarë të tjerë pasi që tashmë e ka ngritur aktakuzën e madje e njëjta edhe është konfirmuar.
“Ky është një rast i pashembullt që prokurori vazhdon të mbledhë dëshmi pas ngritjes së aktakuzës”, ka thënë gjatë seancës, mbrojtësi i Fatmir Limajt, avokati Tahir Rrecaj.
Ky i fundit ka thënë se për këtë çështje ka bërë kërkesë edhe më herët, që provat e mbledhura pas ngritjes së aktakuzës, të mos merren parasysh dhe si të tilla të shpallen të pavlefshme. “Për këtë jemi ankuar edhe në Gjykatën Supreme dhe besoj që vendimi do të jetë i drejtë”, ka thënë më tej Rrecaj.
Edhe avokatët tjerë, njëzëri kanë kërkuar që dëshmitë e dëshmitarëve të marrë në pyetje pas ngritjes së aktakuzës të mos merren në konsideratë.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Jonathan Welford – Caroll lidhur me këtë çështje ka caktuar një afat deri më 1 janar që palët të dorëzojnë ankesat me shkrim në mënyrë që në seancën e ardhshme procedurale, që pritet të mbahet më 16 janar, të ketë vendim gjyqësor edhe për këtë çështje.
Avokati i Nexhmi Krasniqit, Mahmut Halimi, edhe një herë ka kërkuar që ndaj klientit të tij të ndërpritet masa e paraburgimit, kërkesë të cilën nga gjyqtari, është udhëzuar që ta paraqesë me shkrim. Avokati Halimi ka rikujtuar publikimin në media të një informate se edhe për prokurorin Maurizio Salustro tashmë ka një kallëzim penal, derisa gjyqtari ka thënë se nuk është e gjykatës të vendosin për këtë çështje.
Seanca e së mërkurës, por edhe ajo që pritet të mbahet më 16 janar të 2012, janë seanca përgatitore në mënyrë që me 30 janar kur pritet të fillojë procesi normal, të mos ballafaqohen me çështje procedurale.
Më 30 janar, pritet të diskutohet nëse dëshmia e dëshmitarit X si dëshmitar kyç në aktakuzën kundër “Fatmir Limajt e të tjerëve”, të shpallet ose jo e pavlefshme, ashtu siç ka kërkuar mbrojtja.
Sipas dëshmisë së X-it, i cili muaj më parë është vetëvrarë në Gjermani, prokurori italian Maurizo Salustro, ka ngritur aktakuzën e cila i ngarkon Fatmir Limajn, Nexhmi Krasniqin, Naser Shalën, Naser Krasniqin, Sabit Shalën, Refi Mazrekun, Shaban Shalën, Behlul Limajn, Arben Krasniqin dhe Besim Shurdhaj, për kryerjen e krimeve të luftës në dy qendra ndalimi në Kleçkë të Lipjanit.
Ish-ushtarët e brigadës “121 Ismet Jashari-Kumanova” akuzohen se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve në fshatin Kleçkë të Lipjanit në vitin 1999./zeri/