Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dhënë fund insistimit për të mos folur nga kolltuku i tij në Qeveri, në emër të partisë. Ka folur shumë për partinë e tij dhe partitë tjera. Për ato opozitare, veçanërisht.
Thaçi, në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, citohet të ketë dhënë vlerësime për njerëzit që përbëjnë tri subjektet opozitare dhe për punën që ata bëjnë. Kur i është referuar ish-partnerit të koalicionit, LDK-së, ka sugjeruar të shikohet modeli qeverisës në Prishtinë. Ka folur për filozofi keq-qeverisëse në kryeqytet.
Për njerëzit e “Vetëvendosjes” është ankuar. Ka thënë për ta të kenë çuar në Kuvend qasje dhe fjalor rrugaçërie e të dhunës, por edhe frymë antiamerikane e antievropiane.
Më i përmbajtur është treguar në vlerësimet për AAK-në, kur edhe ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar projektet që sponsorohen nga komunat e drejtuara prej këtij subjekti. Megjithëkëtë, është marrë me Ramush Haradinajn, të cilin e ka quajtur humbës në secilën garë zgjedhore me të./bs/