Zëvendësministrat i kushtojnë Kosovës 1.5 milion euro

Secili zëvendësministër i Kosovës, numrin e të cilëve kryeministri Hashim Thaçi po e mban të fshehur gati një vit prejse ka nisur mandatin e dytë qeverisës, kanë të drejtë shfrytëzimi të telefonit gjatë një muaji më shumë sesa një rrogë mesatare në Kosovë. Po kaq gati kanë mundësi të shfrytëzojnë edhe për ushqime e dhurata, shkruan sot gazeta Koha Ditore.

Sipas gazetës, me anë të një udhëzimi administrativ që bart firmën e kryeministrit Thaçi, zëvendësministrave u lejohet të harxhojnë për një muaj deri në 150 euro në telefon celular dhe deri në 100 euro në telefon fiks. Kanë të drejtë edhe të marrin gratis një aparat celulari, një SIM kartelë, sikurse edhe një laptop.

Kryeministri, tek është pyetur një natë më parë në një debat në televizionin publik nga kryeredaktori i “Kohës Ditore”, Agron Bajrami, për shpenzimet në telefon të zëvendësministrave që janë sa rroga mesatare në Kosovë, ka mohuar një gjë të tillë.

“Nuk është e vërtetë që bëjnë shpenzime telefonike sa ju theksoni”, i është përgjigjur Thaçi. “Duhet të evitohet çdo shpenzim i tepërt”.

Por, udhëzimi administrativ që lejon të tillë lartësi shpenzimi në telefon bart numrin 04/2008. E kishte firmosur më 12 shkurt të 2008-s.

Me të njëjtën datë ka firmosur edhe udhëzimin administrativ numër 1/2008, i cili lejon që për reprezentacion zëvendësministrat të gëzojnë të drejtën e shpenzimeve në muaj deri në 200 euro. Këto shpenzime mund të bëhen gjatë kryerjes së detyrave, siç janë drekat dhe darkat me delegacione të ndryshme, pijet gjatë takimeve, si dhe dhuratat e rastit./koha/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat