Miratohet buxheti 2012, opozita voton politikisht

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2012, pasi fillimisht ka miratuar shumicën nga 57 amandamentet e propozuara. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë paralajmëruar që në fillim se nuk do ta votojnë këtë projektligj, anipse disa prej amandamenteve kanë thënë se janë të mirë dhe i shërbejnë përmirësimit të buxhetit. Ndërkaq LDK-ja, e cila kishte ofruar një projektbuxhet alternative ka thënë se do të votojë politikisht.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, Safete Hadërgjonaj ka thënë se grupet punuese kanë shqyrtuar 86 kërkesa buxhetore, 8 amandamente dhe 3 rekomandime të komisioneve funksionale.

Ajo ka kërkuar nga deputetet që t’i miratojnë amandamentet e propozuara dhe ta miratojnë si tërësi Ligjin për buxhetin.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani ka thënë se LDK-ja e ka paraqitur variantin e saj për nje buxhet alternativ, mirëpo nuk është përfillur, pasi që Qeveria dhe partia në pushtet i ka politikat dhe programin e vetë që mendon ta realizojë përmes këtij buxheti.

“Meqenëse jemi parti politike, kemi programe të ndryshme politike, edhe votimi do të jetë politik”, ka thënë Osmani.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se disa prej amandamenteve e bëjnë më të mirë këtë ligj, sidomos ato që përmirësojnë disa padrejtësi që, sipas tij, janë bërë ndaj disa agjencive.

“Megjithatë konsiderojmë se prapë nuk është i mirë dhe rrjedhimisht nuk mund ta votojë si tërësi, edhe pse disa prej amandamenteve janë të pranueshme për ne”, ka thënë Ymeri.

Ndërsa, deputetja e kësaj lëvizje, Alma Lama ka thënë se nuk e voton këtë buxhet, pikërisht për faktin se nuk është marrë parasysh Spitali Onkologjik, në të cilin presin për shërim dhjetëra pacientë.

Sidoqoftë, pas votimit për 57 amandamentet, ligjvënësit me 63 vota për, 47 kundër dhe asnjë abstenim kanë miratuar buxhetin për vitin 2012.

Kuvendi i Kosovës do t’i vazhdojë punimet me shqyrtimin në lexim të parë të Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe gjashtë projektligjeve të tjera, ndërsa në rend dite janë edhe 11 projektligje në lexim të dytë, mes të cilëve edhe Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës./B.Lani/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat