Inspektorati Policor i Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë së Prishtinës dhe në konsultim me Prokurorinë Komunale të Prishtinës, ka arrestuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Lipjan, aktualisht i angazhuar në Task Forcën e Trafikut të Qytetit në Prishtinë.
Zyrtari policor është arrestuar me dyshimin për veprën penale “marrja e ryshfetit” dhe “shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit”.
I dyshuari më 20.12.2011, rreth orës 18:00, ka marrë nga një qytetar të holla në vlerë prej 20 euro, ndërsa është arrestuar në orën 20:00 nga Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë së Prishtinës.
Zyrtari Policor derisa ishte duke rregulluar trafikun në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, përkatësisht në udhëkryqin përballë PTK-së, e ka ndalur qytetarin në fjalë, i cili ishte duke drejtuar veturën e tij.
Zyrtari Policor i ka konfiskuar dokumentet e automjetit qytetarit, me ç’rast nuk i ka shqiptuar tiketë për kundërvajtje, por nga qytetari ka kërkuar që t’i japë të holla në vlerë prej 20 euro, si kundërvlerë për mosshqiptim të tiketës./zeri/