Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdoan deklaroi që pas miratimit të projektligjit nga ana e Parlamentit francez në të cilin thuhet se “mohimi i gjenocidit armen” në vitet e fundit të Perandorisë Osmane do të konsiderohet si krim, ambasadori turk në Paris, Tahsin Burxhuollu është thirrur në Ankara për konsultime.
Kryeministri Erdoan pas takimit me Presidentin e Ukrainës, Viktor Janukoviç organizoi një konferencë për shtyp ku tha: “Miratimi i një vendimi të tillë nga ana e jonë është një fatkeqësi, ndërsa nga ana e Francës është një fatkeqësi me e madhe. Është plotësisht në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Ky projektligj fatkeqësisht u miratua krahas vërejtjeve dhe sugjerimeve tona. Do të shkaktojë plagë të rënda shërimi i të cilëve do të jetë shumë i vështirë”.
Duke thënë se do të rishqyrtohen marrëdhëniet me Francës, Kryeministri Erdoan vijoi me këto fjalë: “Ne i anuluam vizitat politike, ushtarake dhe ekonomike. Nuk do të bashkëpunojmë me Francën në projektet e BE-së të binjakëzimit. Ndalojmë çdo lloj të konsultimeve politike me Francën. Kemi anuluar edhe stërvitjet e përbashkëta. Duke filluar prej sot i refuzojmë të gjitha aplikimet e anijeve ushtarake për vizita të porteve tona. Nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e Komitetit të Partneritetit të Tregtisë Turqi-Francë të planifikuar të mbahet në janar të vitit të ardhshëm nën bashkëkryesimin e Ministrave të Ekonomisë të dyja vendeve dhe nuk do të organizojmë një mbledhje të tillë”.
Erdoan gjithashtu tha se këto hapa janë faza e parë e masave të marra dhe vijoi duke thënë se “Masat e reja do të merren në bazë të ecurisë së ligjit në Francë”./trt/