Heroi i Kosovës, Enver Zymeri në pullë postare

Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull “Hero i Kombit - Enver Zymeri” dhe ka hapur zyrtarisht ekspozitën e pullave postare për periudhën 2000-2011.

Enver Zymeri ka lindur më 3 prill të vitit 1979 në fshatin Dubovc të Vushtrrisë. Ka qenë pjesëtar i UÇK-së, ushtar në brigadën 138 “Agim Ramadani”. Policisë së Kosovës i bashkëngjitet në vitin 2000, si pjesëtar i gjeneratës së dhjetë.

Prandaj nuk është e rastit që edicioni i ri i pullës postare i referohet Enver Zymerit, zyrtarit policor i cili u flijua gjatë vendosjes së rendit dhe ligjit. “Që nga sot, Enver Zymeri merr edhe një detyrë tjetër, detyrën e ambasadorit të nderit, ku përmes pullës postare do ta prezantojë Republikën e Kosovës anë e mbanë botës”, theksoi Blerim Krasniqi, drejtor i Postave të Kosovës në ceremoninë e rastit.

Nga ana e tij, kreu i MPB-së Bajram Rexhepi bëri të ditur se lëshimi në qarkullim i pullës postare dedikuar Heroit të Kosovës, Enver Zymeri, dëshmon se puna dhe përkushtimi i tij e ka bërë të pavdekshëm duke kujtuar veprën e sakrificës dhe të heroizmit të tij. “Se puna e zyrtarëve policorë respektohet dhe çmohet nga të gjithë ne, e dëshmon edhe vendimi i PTK-së për këtë pullë postare në shenjë nderimi dhe respekti për Heroin e Kosovës Enver Zymeri, me rastin e pesëmujorit të rënies së tij në krye të detyrës”, deklaroi Rexhepi.

Babai i Heroit pranoi se pulla postare e lansuar nga PTK-ja është nder i madh që i bëhet birit të tij në nderim të përkushtimit dhe besnikërisë e tij ndaj rendit dhe ligjit. “Nuk ka nder më të madh se ky sot që po i bëhet birit tim dhe ky nuk është nder vetëm për familjen tonë, por për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, u shpreh Muharrem Zymeri, raporton portali Telegrafi.

U.D. i kryeshefit të PTK-së i dhuroi babait të Heroit të Kosovës pamjen e pullës postare të shtypur në argjend, duke nënvizuar faktin se kjo dhuratë simbolike paraqet mirënjohjen dhe respektin e PTK-së ndaj heroit dhe veprës së tij. “Kjo pullë postare është një simbol i atdhedashurisë që një hero i pavdekshëm si Enver Zymeri e tregoi gjatë kryerjes së detyrës së tij zyrtare”, theksoi Nuredin Krasniqi, me rastin e dhurimit të pullës së kornizuar drejtorit të policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Në të njëjtën kohë është prezantuar edhe puna 11 vjeçare e Filatelisë së Kosovës, e cila përmes pamjeve të pullave postare dha një kontribut të shquar në promovimin e Republikës së Kosovës, trashëgimisë sonë kulturore e historike, personaliteteve të shquara, të arriturave si dhe bukurive natyrore./koha/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat