Këshilli për rindërtimin e xhamisë Burmali në sheshin e qytetit të Shkupit, sot në Çifte Amam prezantoi projektin tridimensional (3D) të kësaj xhamie që sipas këshillit duhet të ndërtohet në vendin ku ka qenë. Siç thanë nga këshilli, ky organizim kishte për qëllim të dëshmojë se akoma është duke vazhduar iniciativa për rindërtimin e xhamisë Burmali. Sipas Ramadan Ramadanit, risi është dislokimi i kishës që parashihet të ndërtohet në hapësirë tjetër dhe jo në vendin e xhamisë Burmali.
“Ne mendojmë se është më se e nevojshme pasi tani kemi momente të reja, kur kisha në qendër edhe zyrtarisht është dislokuar apo parashihet në tjetër vend e jo në qendër të sheshit të Shkupit, gjë që në një farë mënyre e liron Burmali Xhaminë prej atij konotacioni politik të cilën ia jepte ndërlidhja me kishën. Andaj ne jemi të lumtur të vazhdojmë me kësi projekte dhe me këtë ne vetëm se shprehim atë thellshmërinë e vizionit të cilin e ka kjo popullatë për nevojën dhe domosdoshmërinë e rindërtimit të këtij nishani të Shkupit”, deklaroi Ramadan Ramadani, këshilli për rindërtimin e xhamisë Burmali.
“Minarja e saj elegante dhe kompozicioni me urën e gurit siç e pamë, paraqet një ekzemplarë të përkryer hapësinor estetik që nuk mundë të haset askund në botë. Sipas disa karakteristikave ajo paraqet një shembull të jashtëzakonshëm të kreativitetit artiktektural dhe harmonisë hapësinore”, tha Behixhudin Shehapi, këshilli për rindërtimin e xhamisë Burmali
Në kuadër të prezantimit tredimensional për xhaminë Burmalin, u shfaq edhe ekspozita organizuar nga Shoqata kulturore qytetare Vizioni-M dhe Art Vizion, sektori i femrave. Projekti në fjalë u mbështet nga Ministria e Kulturës./alsat-m/