Ka ndërruar jetë Zaide Hasani nga Haraçina e Shkupit, personi më i moshuar në Maqedoni. Të shtunën në mbrëmje, në moshën 110 vjeçe, Zahidja u nda nga kjo botë duke lënë pas vetës shtatë fëmijë dhe 143 nipa dhe stërnipa. Deri në ditët e fundit të jetës ajo ka qenë e fortë, me këmbë e me duar siç thotë populli, madje rregullisht i ka pas vizituar të afërmit e saj dhe nuk ka pas lënë njeri pa e përcjellë deri tek dera. Po ashtu Zahidja tashmë e ndjerë nuk ka pas probleme as me shikimin dhe as me dëgjimin. Ishte plaka më e fortë në Maqedoni. Nuk vuante nga asnjë sëmundje dhe gjatë 111 viteve jetë ajo kurrë nuk ka qenë në spital. Zahide Hasani gjatë 111 vjetëve të jetës së saj nuk ka shfrytëzuar asnjë ndihmë nga shteti. Familjarët e saj disa herë kanë kërkuar që ajo të marrë asistencë, pasi edhe i ka pas plotësuar të gjitha kushtet, por në të gjitha rastet dokumentet e saj kanë pas qenë refuzuar.
Në një bisedë që kishe ajo me mediat në ditëlindjen e 110 ka treguar edhe faktorët e jetëgjatësisë. Puna në rini, ushqimi i shëndetshëm dhe faktori gjenetik, pasi e ëma e saj ka pas jetuar 110 vjet, janë faktorët që kanë bërë që Zahide Hasani të hynte në dekadën e dymbëdhjetë të jetës së saj.
Gjatë maratonës së jetës së saj ajo kishte plot gëzime dhe hidhërime. Momentet më tragjike i ka pas përjetuar në vitin 1944 kur komunistët serbë i kanë masakruar bashkëshortin dhe vjehrrin e saj, në masakrën tek fshati Burim në komunën e Likovës.
Varrimi i të ndjerës u bë të dielën në mesditë, në varrezat e fshatit Haraçinë. Për në banesën e fundit atë e përcollën qindra njerëz nga komuna e Haraçinës dhe komunat përreth./lajmpress/