Korrupsioni lë Kosovën pa “Mercedes”

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, e ka privilegjin që është zyrtari i fundit, i cili me para të buxhetit të Kosovës ka blerë veturë zyrtare të tipit “Mercedes”.

Kjo për faktin se gjiganti gjerman dhe botëror i automobilave “Mercedes” ka vendosur që prej muajit të ardhshëm mos t’i shesë vetura Qeverisë së Kosovës.

“Babai” i veturave luksoze në botë jo që nuk dëshiron t’i shesë prodhimet e veta në Ballkan, por një vendim të tillë e ka marrë për faktin se Kosova ka një nivel të lartë të korrupsionit, të cilën gjë e konfirmon edhe “Transparency International”.

Sipas kësaj të fundit, shteti më i ri në Evropë radhitetit në vendin e 112, që do të thotë se konsiderohet si një vend me nivel të lartë të korrupsionit, duke u vendosur kështu në një grup me shtetet si: Algjeria, Egjipti, Moldavia, Senegali dhe Vietnami.

Burimet e sigurta të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se përfaqësuesit e autorizuar të “Mercedesit” në Kosovë nuk mund t’iu shesin vetura institucioneve të Kosovës, nëse këto të fundit shpallin tenderë publikë për blerje të veturave të këtilla.

Sipas këtyre burimeve, nëse shpallen tenderë publikë për blerjen e veturave “Mercedes”, atëherë marrëveshja për shitblerje të veturave, duke i përfshirë këtu edhe ofertat, duhet të negociohet me përfaqësuesit e “Mercedesit” nga Shtudgardi i Gjermanisë, aty ku prodhohet vetura simbol i kualitetit dhe qëndrueshmërisë.

“Qeveria e Kosovës nuk do të mund të blejë vetura “Mercedes” nga përfaqësuesit e autorizuar të kësaj të fundit në Kosovë. Mirëpo, nëse shpallen tenderë publikë për vetura të tilla, atëherë duhet të bëhet kërkesa në Gjermani, prej nga do të vijnë përfaqësuesit e kompanisë dhe të merren personalisht me këtë çështje”, bën të ditur burimi, duke shtuar se një vendim i tillë është marrë për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit në vend.

Jo pak zyrtarë të Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës me para të buxhetit kanë blerë vetura luksoze të markës “Mercedes”. Vite më parë ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, dhe zëvendësi i tij në atë kohë, Bedri Hamza, i cili aktualisht është ministër i Financave, kishin blerë dy vetura të tilla në vlerë prej rreth 100 mijë euro.

Përndryshe, mediet më herët kanë njoftuar se prodhuesi gjerman i automjeteve “Mercedes Benz” ka ndërprerë marrëdhëniet e tij tregtare me Republikën Islamike të Iranit.

Shefi i kompanisë u shpreh se kompania që ai drejton e mori këtë vendim pas deklaratave të presidentit iranian, Ahmadinexhad, për vazhdimin e programit bërthamor në këtë vend.

Mediet ndërkombëtare po ashtu kanë raportuar se prodhuesi gjerman i automobilave, "Mercedes" ka shitur mbi 610 mijë vetura në pjesën e parë të këtij viti, që dmth. 9.7 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por edhe rezultatin më të mirë në historinë e kësaj kompanie. Shitja totale e veturave “Mercedes” në botë në muajin qershor është rritur për 6.4 për qind, ose 120,500 vetura.

Siç ka lajmëruar sot kompania e “Daimler AG”, në pronësinë e të cilit gjendet “Mercedesi”, në rritjen e shitjes ka ndikuar kërkesa e tij në tregun kinez , në të cilin është shënuar rritje për 52.3 për qind. Në tregun kinez janë shitur gjithsej 92.200 vetura Mercedes.

Gjithashtu kjo kompani ka njoftuar për prodhimin e planifikuar për vitin 2015 , që në Kinë të arrijë numrin prej 300.000 veturave./zeri/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat