Nexhat Daci thotë se ka marrë mbështetje nëpër “kafe pune” për të kandiduar për president. Vendimin nuk e ka marrë ende, por nuk e përjashton një gjë të tillë. Pavarësisht mbështetjes që mund të marrë për të dalë si kandidat, apo gatishmërisë për të pranuar këtë, garën për president të Republikës së Kosovës e ka të pamundur. Këtë ia ndalon një krim që kishte bërë vite më parë për të cilin është shpallur fajtor. Dënimi me një vit e gjysmë burgim me kusht Dacit ia pamundëson futjen në garë.
Kryetari i Komisionit për ndryshime kushtetuese, pa dashur të fliste për emra konkretë, ka thënë të mërkurën se kurrkujt që është në procedurë penale, e aq më pak i dënuar për vepër penale me vendim të plotfuqishëm, nuk i lejohet hyrja në garë. Ai thotë se Ligji për presidentin është në finalizim e sipër dhe në të do të përfshihet edhe neni që ka të bëjë me përshtatshmërinë e kandidatëve./koha/