Kosova e Turqia bisedojnë për partneritet në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, deklaroi se në kuadër të partneritetit publiko-privat bashkëpunimi ndërmjet Kosovës e Turqisë në shëndetësi do të mund të intensifikohet në të ardhmen.

Ai priti një delegacion nga Izmiri i Turqisë, i kryesuar nga deputeti shqiptar në Parlamentin e Turqisë Rifat Sait, njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të këtij shteti.

Në këtë takim, ministri Agani, e ka njoftuar delegacionin nga Turqia, në përbërje të së cilit përveç politikanëve kishte edhe biznesmenë e përfaqësues të federatave e shoqatave të ndryshme joqeveritare, për zhvillimet në shëndetësinë kosovare, procesin e reformave dhe nevojat e sistemit shëndetësor të Kosovës.

Ministri Agani ka falënderuar Qeverinë e Turqisë për bashkëpunimin shumë të mirë deri tani me MSh-në, trajtimin e njëqind pacientëve kosovarë falas sipas Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, ndihmën në aspektet e tjera shëndetësore, por edhe ndihmën që Turqia po i jep Kosovës edhe në agjendën politike.

Ai ka theksuar se në kuadër të partneritetit publiko-privat bashkëpunimi ndërmjet Kosovës e Turqisë në shëndetësi do të mund të intensifikohet në të ardhmen, bazuar në rregullativën ligjore që ka krijuar Qeveria e Kosovës dhe se fushë e bashkëpunimit të suksesshëm mund të jetë edhe turizmi shëndetësor. Deputeti në Parlamentin e Turqisë, Rifat Sait, ka shprehur interesimin për fushat konkrete të investimeve në shëndetësinë kosovare si dhe ka theksuar se Turqia do të vazhdojë të mbështes Kosovën edhe në fushën e lobimit për sa më shumë njohje të pavarësisë së saj, thuhet në një njoftim të Zyrës për informim të MSH-së./rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat