Një fishekzjarr është hedhur në mjediset e ambasadës ruse në Tiranë në mbrëmjen e 30 dhjetorit.
Lajmi është publikuar nga korrespodenti i agjencia ruse të lajmeve ITAR-TASS, ku është cituar zëdhënësi i ambasadës ruse në Tiranë, Stanislav Lagutin.
Zyrtari i ambasadës ruse hedhjen e këtij mjeti të vogël shpërthyes e ka quajtur si “provokatsiya” - provokacion diplomatik, edhe pse bëhet fjalë vetëm për një fishekzjarrë, me ç`rast siç raportohet nuk ka pasur asnjë dëm, transmeton agjencia e lajmeve INA.
“Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Leonid Abramov dërgoi një notë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Policia vendore po heton dhe është në kërkim të keqbërësve”, - ka theksuar Stanislav Lagutin, i cituar nga ITAR-TASS.
Ministria e Jashtme shqiptare nuk ka dhënë ndonjë hollësi mbi rastin, pas letrës së pranuar nga ambasada ruse. (INA)