SHBA-të nuk tërhiqen nga Kosova, por baza amerikane i kalon turqve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e saj në NATO zotohen se do të mbajnë rreth 6 mijë ushtarë në Kosovë për aq kohë sa të jetë e nevojshme të ruajnë sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë veriun e vendit të trazuar shpesh nga serbët lokalë. Gjithsesi vazhdon të mbetet zyrtarisht në fuqi, kalimi në komandën turke, i bazës ushtarake që ngritën SHBA-të.

Turqia do të mund të hyjë në bazën ushtarake amerikane afër Ferizajt, “Bondsteel”, të cilën forcat e SHBA-së do ta braktisin së shpejti, raporton “Frankfurt News”, duke u cituar burime diplomatike. Ndërkohë gazeta boshnjake “Dnevni Avaz”, bën një analizë të gjatë të impaktit që mund të sjellë ky zhvillim në rajon dhe cili do të jetë roli i Serbisë.

Sipas gazetës, bëhet fjalë për bazën më të madhe ushtarake amerikane të ndërtuar jashtë kufijve të SHBA-së pas luftës në Vietnam. Largimin nga baza në afërsi të Ferizajt e ka paralajmëruar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, për shkak të harxhimeve të mëdha financiare, një gjë që ka shkaktuar rrëmujë në mesin e analistëve dhe teoricienëve ushtarakë serbë, marrë parasysh paralajmërimin që bazën do të mund ta trashëgojnë pikërisht turqit.

Ninoslav Kërstiç, ish-komandant i forcave të bashkuara serbe të sigurisë, thotë se një skenar i tillë Serbisë assesi nuk mund t’i konvenojë.

Sakaq, burime nga Uashingtoni thanë për RTK-në se kjo çështje është diskutuar dhe vendosur në fund të tetorit në takimet e ministrave të Jashtëm dhe atyre të Mbrojtjes të aleancës së NATO-s.

Është thënë më se njëherë nga zyrtarë amerikanë se pjesëtarët e forcave të NATO-s në Kosovë ‘bashkë kanë hyrë dhe bashkë do të dalin’, dhe se tërheqja nuk bëhet në mënyrë individuale.

Në këtë fazë nuk mund të flitet për një tërheqje të njëanshme të forcave amerikane nga Kosova, forca këto që përbëjnë kurrizin e sigurisë së pranisë ushtarake të KFOR-it.

NATO kishte planifikuar shkurtimin e forcës së KFOR-it për afro 2.500 ushtarë, mirëpo ky plan është ndaluar për një kohë të pacaktuar pasi veriu i Kosovës është ende nën potencialin e tensioneve, pas dhunës së ekstremistëve serbë në korrikun e vitit të shkuar.

Prania ushtarake amerikane në Evropë është pjesë e zotimit strategjik afatgjatë amerikanë për sigurinë evropiane dhe në këtë kontekst shihet edhe prania ushtarake amerikane në Kosovë.

Si pjesë e kësaj strategjie, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zotuara për integrimin e vendeve të Ballkanit në institucionet Evro-Atlantike, duke e bërë atë pjesë të bërthamës dhe sigurisë evropiane.

Dje agjencia e lajmeve NOA.al bëri me dije se në kuadër të reduktimeve në Pentagon, SHBA-të kishin parashikuar mundësinë e tërheqjes së ushtrisë amerikane nga Kosova. Ky paralajmërimin shkaktoi reagime tek shqiptaro- amerikanët.

I kontaktuar nga Kosovapress, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi deklaroi se nuk ka koment për këtë çështje pasi nuk ka asnjë lajmërim zyrtar për tërheqjen e trupave amerikane.

“S’kam koment, sepse s’ka asgjë zyrtare. Nuk lidhet ajo me veri ata i kanë planet e veta. Ne kemi dëshirë që trupat amerikan të mbeten edhe më tutje, mirëpo ata i dinë mundësitë buxhetore dhe të sigurisë. Prandaj unë nuk mund t’i komentojë veprimet e amerikanëve”, është shprehur përmes telefonit ministri Rexhepi, i cili ndodhet me pushimet e dimrit./NOA


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat