Ilegalët e Leposaviqit vendosën për referendumin

Ilegalët e Leposaviqit vendosën të mërkurën që më 15 shkurt t’i bashkohen referendumit përmes të cilit serbët do të deklarohen nëse duan të pranojnë institucionet e Kosovës në këtë pjesë të vendit, apo jo.

Në mbledhje nuk ishin të ashtuquajturit deputetë të Partisë Demokratike, që qeveris në Serbi, ndërsa gazetarët nuk e kishin të qartë mungesën e tyre në këtë mbledhje.

Në mbledhje ishin të pranishëm gjithsejtë 16 “deputetë”, nga gjithsej 31 sa ka në “kuvendin” e Leposaviqit, dhe të gjithë të pranishmit votuan për referendumin, i cili është shpallur edhe në tri komunat tjera paralele në veri të Kosovës.

Kryetari ilegal i Leposaviqit, Branko Niniq, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, se është kundër referendumit.

“Për këtë nuk kanë pse të deklarohen komunat në veri të Kosovës, kur dihet se institucionet e Prishtinës nuk i ka pranuar as Qeveria e Serbisë. Kushtetuta e Serbisë e përcakton qartë se Kosova është pjesë e saj dhe për këtë arsye nuk ka nevojë të mbahet referendumi”, ka thënë Niniq.

Ndërkaq, pyetja në referendumin që pritet të mbahet më 15 shkurt, do të jetë: “A i pranoni institucionet e Republikës së Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë”? /Zëri/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat