Ditën e hënë do të publikohen rezultatet e pyetësorit, përmes të cilit studentët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për problemet në Universitetin e Prishtinës. Do të publikohen emrat e profesorëve që mungojnë në ligjërata, të cilët kanë bërë presion të mos publikohet rezultati. Studentët do të kërkojnë nga Rektorati masa ndëshkuese ndaj profesorëve që mungojnë.
Përfaqësuesit e studentëve, që kanë përgatitur pyetësorin për problemet në Universitetin e Prishtinës, thonë se do të publikohet gjithçka që kanë shprehur studentët. Kryetari i Parlamentit të Studentëve, Mentor Hasani, thotë se problemi kryesor që kanë shprehur studentët, është mungesa e profesorëve në ligjërata, ndaj të cilëve do të kërkohet edhe ndëshkimi.
Sipas tij, profesorët që mungojnë më shumë, janë ata që merren me politikë, e që në mënyrë indirekte kanë bërë presion, për t’u mos u publikuar rezultati i pyetësorit.
“Ne do të publikojmë emrat e profesorëve që kanë munguar dhe mungojnë. Në mënyrë indirekte ka pasur presion nga disa profesor që merren me polikë. Mirëpo, unë kam qenë i vetëdijshëm se do të më duhet t’i bëjë ballë këtij presioni, sepse kemi nisur një punë shumë të rëndësishme dhe është projekti më i rëndësishëm që ka ndodhur në Universitet”, thotë Hasani.
Hasani thotë se për shkak të mungesës së profesorëve, kanë pësuar 200 ose 300 studentë. Rezultatet do të dorëzohen në Rektorat, ku edhe priten ndëshkimet nga ana e tyre. Në rast se nuk do të ndërmerret asgjë nga ana e Rektoratit, studentët do të ndalojnë profesorët të hyjnë në fakultete, thotë Hasani.
“Ne, monitorimin do ta bëjmë çdo muaj dhe në rast se nuk ndërmerret diçka vet t’ua ndalojmë këtyre profesorëve, që të hyjnë në Universitet. Jemi të vendosur që të vëmë rend dhe profesorët që mbajnë nga dy tri vende pune të zgjedhin a duan të jenë në Universitet, në kolegje private apo Qeveri. Në rastet tjera ne do të kërkojmë që të ulen pagat dhe të rritet masa e dënimit, të mos jetë 50 euro, sepse, ajo nuk ndikon asgjë”.
Në pyetësor janë përmendur edhe të meta të tjera. Në disa fakultete ka mungesë të hapësirave, nuk funksionon si duhet administrata dhe mungon ngrohja. Gjithashtu, është cekur se ka edhe korrupsion. Studentët u janë përgjigjur 80 mijë pyetjeve, në 4 mijë pyetësor, ku janë përfshirë administrata dhe profesorët./Albana Karaj/rtk/