Një erë e fuqishme ka përfshirë gjatë 24 orëve të fundit Istogun me rrethinë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Si pasojë e prishjes së rrjetit elektrik Istogu ka mbetur edhe pa energji elektrike. Burime të ndryshme nga terreni bëjnë të ditur se dëmet më të mëdha materiale, ku era ka bartur edhe kulme të shtëpive dhe ka shkulur me rrënjë disa lisa, janë shkaktuar në fshatrat Vrellë, Studenicë, Kaliqan, Tomoc, Rakosh, e të tjerë, ndërsa thuhet se gjatë natës ndërmjet janë vërejtur edhe shumë familje duke ikur nga qyteti i Istogut. “Nuk mbaj mend të ketë fryrë era ndonjëherë më shumë se sa gjatë natës së mbrëmshme dhe të ketë bërë dëme më të mëdha në fshatin tonë”, tha për Koha Ditore Hysen Dakaj nga Vrella, derisa kthehej nga roja e natës. Era ka shkaktuar dëme material edhe në Istog thotë Bedri Hajzeraj. “Era më ka lënë pa kulm të shtëpisë, ku isha duke banuar tek një mik imi”, deklaron ai.
Dëme të mëdha materiale thotë të jenë bërë edhe kryetari i Komunës, njëherësh kryetar i Shtabit Emergjent, Haki Rugova. Sipas tij, në Istog era ka rrëzuar kulmin e stacionit policor, kulmin e Pallatit të Kulturës, kulme të disa shtëpive dhe ka shkatërruar tej mase edhe kulmet e banesave shoqërore dhe kulme të shtëpive brenda qytetit dhe jashtë Istogut.
“Nga mëngjesi është mobilizuar Shtabi Emergjent dhe kemi shpallur gjendje të jashtëzakonshme”, thotë i pari i Istogut. Ai shton se për vlerësimin e dëmeve kanë dalë në terren disa komisione, të cilat duhet të bëjnë identifikimin e dëmeve. “Paraprakisht vlerësojmë se dëmet e shkaktuara nga era janë shumë të mëdha, ndaj kërkojmë ndihmën e Qeverisë së vendit dhe të organizatave ndërkombëtare”, thekson ai.
Kryetari Rugova thotë se për të pastruar bllokadat në rrugë ka kërkuar edhe ndihmën e FSK-së, ndërsa për evitimin e prishjeve në shtylla elektrike është kërkuar ndihma e KEK-ut, e cila është në aksion. “Gjendja është e jashtëzakonshme, por fatmirësisht përpos dëmeve të mëdha materiale nuk ka pasoja në njerëz”, thotë kryetari Rugova./koha/