Qeveria e Bullgarisë ia dorëzoi Gjermanisë dhe NATO-s informatat e intelegjencias së saj për operacionin “Patkoji” të diktatorit serb Millosheviq që e kishte për qëllim pastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë. Kjo është zbuluar nga ish-ministrja e jashtme e Bullgarisë Nadezhda Neynski në dokumentarin ”Operacioni Patkoji” realizuar nga televizioni privat bullgar BTV.
Dokumentari zbulon informacione se si operacioni “Patkoi” i Milosheviqit u rrëmbye nga zbulimi ushtarak i Bullgarisë dhe iu dha qeverisë bullgare të partisë djathtiste UDF dhe kryeministrit Ivan Kostov.
Sipas ministres së atëhershme Neynski , kabineti i Kostovit vendosi që t’ia ofroj NATO-s informatat, të cilat pastaj ajo ia dorëzoi si raport ministrit të atëhershëm të Jashtëm gjerman, Joschka Fischer.
`Plani kishte dy qëllime – e para ishte shkatërrimi i Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës dhe e dytra që ta pastrojë Kosovën nga shqiptarët. Ky plan rezultoi me deportimin në masë të shqiptarëve nga Kosova. Krejt nisi në shkurt 1999”, ka thënë Neynski, aktualisht deputete në Parlamentin e Bullgarisë.
Neynski, ka thënë se është krenare që Bullgaria ka vepruar në mënyrë dinjitoze në këtë rast, duke ua dhënë planin aleatëve, e që ka shërbyer për intervenimin e NATO-s në Kosovë.
Fushata e spastrimit etnik në Kosovë, ishte arsyetimi formal i NATO-s për intervenim ushtarak në Kosovë në vitin 1999, në kampanjën tremujore të bombardimeve të Serbisë, përmes të cilave u larguan forcat e Slobodan Miloseviqit nga Kosova./rtk/