Në Pejë janë arrestuar tri femra të dyshuara se "sistematikisht merreshin me aranzhimin e mundësimit të prostitucionit", kurse në Ferizaj janë arrestuar tetë meshkuj, të cilët do të përgjigjen për veprat penale të trafikimit të qenieve njerëzore, punës së detyruar dhe mashtrimit.
Hetuesit e Policisë së Kosovës për trafikim me qenie njerëzore, në dy operacione policore të ndara, në Pejë dhe Ferizaj, kanë arrestuar 8 persona të cilët merreshin me prostitucion.
Sipas një njoftimi të policisë, të mërkurën në Pejë janë arrestuar tri femra të dyshuara se sistematikisht merreshin me aranzhimin e mundësimit të prostitucionit.
Personat e arrestuar për veprën penale të Mundësimit të Prostitucionit janë: A. Kelmendi, e datëlindjes 15.05.1974; F. Alimetaj (06.01.1988) dhe L. Thaqi (03.07.1990), që të tria shtetase të Kosovës.
Kurse Njësia Qendrore e Hetimeve, në operacionin e koduar “Shoqata”, arrestoi të enjten në rajonin e Ferizajt pesë të dyshuar të cilët kryenin veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore, punës së detyruar dhe mashtrimit.
Ata janë K. Spahiu (1988), S. Ceka (1979), Xh. Gashi (1992), të tre shtetas kosovarë; si dhe
R. Qali (1977) dhe Z. Ramadani (1976), shtetas të Maqedonisë.
Në këtë rast janë identifikuar edhe dy viktima e trafikimit, njofton policia.
Me aprovim të Prokurorit të Qarkut në Prishtinë, të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve dhe ata do të dërgohen para gjyqtarit përkatës./gazetajnk/