Numri i protestuesve në hyrje të fshatit Shtedim të Podujevës, në rrugën që çon drejt pikës kufitare në Merdarë tashmë ka arritur në rreth 1000 sish. Po aq protestues raportohen të jenë mbledhur deri më tash edhe te pika kufitare Dheu i Bardhë. Ndërkohë, raportohet se numri i protestuesve sa vjen e shtohet...
Turma e mbledhur në hyrje të fshatit Shtedim është afruar me policinë në një distancë rreth 1 metër, ndërkaq Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është duke qëndruar në gjendje gatishmërie dhe ka krijuar kordonin në mes të dy urave në afërsi të këtij fshati.
Në krye të protestuesve janë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti si dhe aktivisti tjetër, Shpend Ahmeti.
Vetëvendosje ka bllokuar vetëm një korsi të rrugës, pra atë që vjen nga Serbia për në Kosovë. Protestuesit po brohorasin parulla të ndryshme, e ndër to edhe “Hashim hajni”, “O Albin, ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke”, e thirrje të ndryshme./zëri/