Përmbyllet protesta në Merdar

Në një komunikatë për media të lëshuar pas orës 2 të mesnatës, Lëvizja VETËVENDOSJE njofton për përfundimin e protestës në Merdar.

Në vazhdim komunikata e plotë e Lëvizjes VETËVENDOSJE:

Për shkak të kufizimeve që janë bërë nga policia në aspektin logjistik dhe temperaturës së ultë që po mbizotëron atje, është bërë i pamundur qëndrimi i sigurt i protestuesve në Merdar.

Në ora 00:30 policia e Kosovës e ka arrestuar aktivistin Veton Dragusha, i cili ishte i angazhuar në bartjen e batanijeve, ushqimit, reflektorëve, e gjësendeve tjera, duke i konfiskuar ato. Këto ishin mëtuar që t’ua mundësonte protestuesve qëndrimin e sigurt në Merdar.  Njëkohësisht policia i ka bllokuar të gjitha rrugët kryesore për në vendin e protestës, më qëllim të bllokimit të komunikimit mes qendrave urbane dhe protestës.

Në orën 01:35, përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e kanë mbyllur protestën e sotme në Merdar që ishte organizuar në mbrojtje të Republikës dhe prodhimeve të vendit.

Në shenjë përgjegjësie për mirëqenien e protestuesve, udhëheqësit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! u kanë kërkuar atyre që të shpërndahen në mënyrë të qetë.

Shpend Ahmeti iu drejtua protestuesve dhe gazetarëve të pranishëm: “Duke qenë se u bë i pamundshëm qëndrimi te Dheu i Bardhë ku tashmë hynë veturat dhe maunet me mallra serbe, u vendos që tani nuk është më e arsyeshme që të bllokohet Serbia vetëm në njërën pikë kufitare. Protesta paqësore në mbrojtje të Republikës për prodhimin vendor dhe kundër Serbisë do të vazhdojë në të ardhmen edhe në forma të tjera, për çfarë  do të njoftoheni me kohë.”

Me 14 janar dhe sot nga fillimi i protestës e deri në mbylljen e saj, në Kosovë, nuk ka hyrë asnjë maune me mallra të Serbisë dhe asnjë veturë me targa të Serbisë. Pra, këto dy ditë në Kosovë u zbatua reciprociteti.

Lëvizja VETËVENDOSJE! falënderon të gjithë qytetarët që na kanë mbështetur, qoftë me prezencën fizike duke marrë pjesë masivisht në protestat tona, apo edhe përmes ndihmës së ofruar me ushqim dhe materiale të ndryshme.

Protesta paqësore e sotme e demokratizon republikën. Reciprociteti e mbron republikën dhe na i forcon kufijtë shtetëror.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat