Burime të policisë kanë konfirmuar se është në procedurë hetimi rasti i një drejtori të një shkolle fillore në komunën e Mitrovicës. I dyshimti është arrestuar dhe i është caktuar paraburgimi për 30 ditë, në cilësinë e të dyshuarit për ngacmim seksual ndaj një të miture, nxënëse. Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi rajonal i policisë së Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti, i cili nënvizoi: “Në bazë të një ankese të paraqitur në polici nga një nxënëse e mitur (13), policia ka arrestuar më 13 janar të këtij viti drejtorin e shkollës fillore në fshatin Bajgorë, për ngacmim seksual ndaj saj”. Mësohet se “i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit i është nënshtruar ndalimit policor, ndërkaq më pas ndaj tij është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh dhe gjatë kësaj kohe do të mblidhen prova në lidhje me rastin”, ka thënë zëdhënësi i policisë Hoti, duke shtuar se kjo është një çështje delikate dhe hetimi i plotë do ta zbardhë rastin./kosovasot/
