Mbahet protesta në Strugë për mbrojtjen e vlerave Islame

Myftinia e Bashkësisë Fetare Islame në Strugë organizoi sot një protestë paqësore në shenjë të reagimit kundër ofendimeve dhe shtrembërimeve të fesë islame që i`u bënë në Karnevalin e Vevçanit.

Në këtë karneval, një grup cirkusantësh u shfaqën me veprime makabre të përdhosjes së flamurit islam, Kur`anit famëlartë dhe perversitete tjera kundër riteve të fesë islame.

Në sheshin e Strugës, -fillimisht para ndërtesës së komunës, ishin tubuar mijëra pjestar të komunitetit musliman, për të shprehur revoltën e tyre dhe për të mbrojtur dinjitetin dhe islamin në përgjithësi. Gjatë kohës së grumbullimit në sheshin e qytetit, kolonat e protestuesve që vinin nga vendbanimet rurale, duke brohoritur “Allahu ekber, Allahu ekber”, mbushën sheshin, ku ishte ndalua qarkullimi i veturave.

Të pranishmëve iu drejtua në emër të Myftinisë së Strugës, myftiu, Dr. Ferat Polisi, i cili pasi përcolli përshëndetjet e kryetarit të BFI-së, H.Sulejman ef. Rexhepi, elaboroi se feja islame është fe e paqës, e tolerancës, bashkëjetesës, mirëqenjes, duke shprehur revoltën e besimtarëve islam, tha: “Në të ashtuquajturin karneval të Vevçanit, ku ishte e pranishme edhe ministresha e kulturës, deputet të pozitës dhe opozitës, u përdhosën vlerat islame, fyen ndjenjat e besimtarëve, që besimtarët musliman kurrë nuk e kanë bërë një gjë të tillë, duke prekë ndjenjat e ndonjë populli ose besimi tjetër. Në skenat e atij dhe karnevaleve të ngjashme prishet bashkëjetesa. Na habitë fakti se aty ishin ministresha e kulturës, deputet, kryetari i komunës së Vevçanit e të tjerë dhe nuk pati asnjë reagim”.

Në vazhdim të fjalës së tij të rastit, muftiu Dr.Ferat Polisi shtoi: “ Ky tubim proteste, ka edhe një mesazh që thotë se këto treva dhe këtë popull ka kush e mbron. Jemi dëshmitar se provokime ka nga të katër anët e Maqedonisë, ndaj shqiptarëve dhe muslimanëve. Shtrohet pyetja, përse asnjë arrest e asnjë burgosje për ata që shkelën mbi flamurin e Islamit, ndërsa kur patrioti Minir Ismaili e dogji flamurin ai u arrestua. Gjëra të tilla nuk do të tolerojmë. O shtet i përbashkët o i askujt, sepse me taksat e tatimet tona dhe me shkelë mbi dinjitetin e popullit tonë nuk do ta tolerojmë”.

Duke përfunduar fjalën e tij, ai shtoi: “Kërkojmë nga kryetari i komunës së Vevçanit, që gjënë më të vogël që mund ta bëjë, të kërkojë falje publike. Kjo është një protestë e popullit paqësor, popullit të dinjitetit, të popullit të kulturës, të popullit të lashtë  të trojeve etnike shqiptare, ndaj ashtu si keni ardhur qetë, ashtu edhe të shpërndaheni qetë, me dinjitet, duke mos rënë në provokime të mundshme”.

Në vazhdim, me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili ndër të tjera theksoi se ky tubim shprehë ndjenjën e shqetësimit të madh, sepse Struga si komunë multietnike dhe multifetare, qytet i toleramcës dhe bashkëjetesës së të gjitha komuniteteve është e indinjuar nga të gjitha ato pamje që dolën në një far lloj karnevali. “Ne nuk do të tolerojmë të përdhosë përkatësinë fetare dhe fenë të cilën e kanë shumica e popullatës jo vetëm në Strugë. Shqiptarët dhe muslimanët janë tolerat dhe kanë bashkëjetuar me të gjitha etnitetet, me të gjitha fetë, që ia duan vendit, Ballkanit dhe Europës. Ne kërkojmë që ata të dënohen dhe dënimi do të vijë nga ne dhe të korkojmë që dënimi të vijë nga ndokah tjetër, për të gjithë ata që zhvlerësojnë përkatësinë fetare islame, jo vetëm në Strugë. Ata mund të imitojnë secilin, por nuk mund të luajnë me ndjenjat muslimane”.

Më pastaj, Abdurrahman Sherifovski, nga Shoqata për kulturë nga Llabunishta, “Ikre”, para gazetarëve parashtroi reagimin e kësaj Shoqate, e cila kërkon falje publike nga organizatorët e karnevalit dhe nga kryetari i komunës së Vevçanit dhe shtoi: “ kërkojmë ngritjen e procedurës penale bazuar në ligjet dhe Kushtetuën e Maqedonisë. Në të kundërtën, do të konsiderojmë se edhe ata janë mbështetës të sjelljeve të këtilla të organizatorëve. Nuk është demokraci keqpërdorimi dhe zhvlerësimi i të tjerëve, por kjo është shkelje  e Kushtetutës e cila thot se ndalohet çdo veprim që shkakton padurueshmëri dhe urrejtje racore, fetare ose etnike. Pikërisht, nga Vevçani, në Llabunishtë punojnë 25 punëtorë, ndaj nëse nuk respektohen këto kërkesa tona, do të detyrohemi që ti largojmë nga puna këtë punëtorë, të ndërpresim edhe raportet me Shtëpinë e shëndetit dhe spitalin e Vevçanit”.

Edhe xhemati i Llabunishtës insiston në dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të komunës së Vevçanit, organizatorëve dhe personave që përdhosën dhe fyen ndjenjat e muslimanëve, e ndër ta kishte edhe punëtor të shërbimit shëndetësor që shërbejnë pikërisht në Llabunishtë.

Protesta kundër përdhosjes, njollosjes dhe fyerjes së fesë islame, Kur’anit famëlartë, flamurit musliman dhe pikëpamjeve tjera gjatë karnevalit që skajshmërisht fyente ndjenjat fetare, përfundoi qetë.

Gjatë kësaj proteste, pjestarët e policisë, që ishin në numër të konsideruar, vetëm e shënuan praninë  e tyre, sepse nuk kishte asnjë incident. (Mehmet Latifi/INA)



Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat