Protesta e djeshme e organizuar nga Myftinia e Strugës, në të cilën u kërkua nga kryetari i Komunës së Vevçanit të kërkojë falje për skandalin në të cilin u fyen besimtarët myslimanë gjatë karnavalit, duket se fare nuk ka dhënë efekt. Madje, kreu i Vevçanit, tha se falje duhet të kërkojë kryetari i Komunës së Strugës, për shkak se dje e ka mbështetur protestën. E në fakt protesta e djeshme ishte organizuar pasi që në Karnavalin e Vevçanit ishin ofenduar rëndë myslimanët pasi që disa pjesëmarrës kishin përdhosur librin e shenjtë ‘Kuranin’ dhe traditat islame në përgjithësi, përfshi këtu edhe faljen e namazit. Mirëpo siç u tha, kryetari i Vevçanit Pero Ilieski ka refuzuar të komentoj kërkesën e banorëve të Strugës për shkarkimin dhe distancimin e tij nga fyerjet dhe ofendimet e bëra ndaj myslimanëve.
“Me rastin e protestave të fundit që u organizuan lidhur me Karnavalin e Vevçanit, dëshirojmë t’i njoftojmë qytetarët e Maqedonisë se karnavali i Vevçanit ishte i keqpërdorur dhe i shfrytëzuar si vegël politike për përmbushjen e disa qëllimeve të caktuara nga ana e organizatorëve të protestave dhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko. Vërtetim për konstatimet tona është edhe fakti se, protestat e lartpërmendura mbahen pikërisht pas 14 ditëve nga mbajtja e karnavalit”, thuhet në reagimin e kreut të Vevçanit, Pero Ilieski.
Këto akuza i ka hedhur poshtë kreu i Strugës Ramiz Merko pasi sipas tij përmes protestës së djeshme është kërkuar që ngjarjet e tilla të mos përsëriten ngase dëmtojnë qytetarët shqiptarë dhe pjesëtarët e besimit mysliman. Pjesëmarrjen e tij në protesta ai e arsyeton me ftesën që i është bërë nga ana e Myftinisë së Strugës duke pohuar se do të merr pjesë në të gjitha organizimet për të cilat do të ketë ftesë pasi është kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike dhe fetare.
“Mendoj se protesta paqësore e djeshme është një refleksion i gjërave të cilat i bënë pikërisht ata organizatorë dhe vetë kryetari i Vevçanit, që janë fyerje shumë të mëdha si kombëtare ashtu edhe fetare. Por deklarata e sotshme e kryetarit të Vevçanit që hedh një pikë dyshimi tek protesta paqësore e djeshme mendoj se nuk mban. Vetë kryetari dhe organizatorët e karnavalit, të ashtuquajtur karnavale të Vevçanit duhet të kërkojnë falje publike të gjithë shqiptarëve dhe gjithë myslimanëve jo vetëm të Strugës por gjithkund që ndodhen sepse ata kanë fyer në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut dhe sigurisht kanë fyer librin e shenjët ‘Kuranin”, deklaroi Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës. Ndërkohë dje në Veleshtë persona të panjohur kanë sulmuar autobusin e linjës së rregullt Strugë - Vevçanë. Nuk ka pasur të lënduar në mesin e udhëtarëve mirëpo është shkaktuar vetëm dëm material ndërsa para Shtëpisë së Kulturës në Strugë i është vënë flaka flamurit të Maqedonisë. E gjithë kjo pasoi protestën e organizuar nga Myftinia e Strugës në të cilën u shpreh revolta ndaj ofendimeve kundër fesë islame. Pas gjithë kësaj kreu i Strugës Merko njëherit u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e deklaratave tilla provokative por të ruajnë paqen dhe qetësinë./alsat-m/