Mijëra qytetarë thanë “Mos e prekni Prizrenin”

Qytetarë të shumtë të Prizrenit, por edhe të meseve të tjera të Kosovës, kanë protestuar të dielën në Sheshin “Shatërvani” kundër ligjit për Qendrën Historike në Prizren, duke mbështet kështu reagimin e OJQ-ve të këtij qyteti në kundërshtim të këtij ligji.

Në një skenë të improvizuar në qendër të qytetit, kanë folur përfaqësues të tri subjekteve nga shoqëria civile, fjalimet e të cilëve janë përcjellë me brohoritje të vazhdueshme “Nuk e duam ligjin”, slogan ky që edhe ishte moto e kësaj proteste.

Hajrullah Çeku, nga “Koalicioni për Prizrenin”, pasi ka falënderuar të pranishmit për një pjesëmarrje dinjitoze si dhe mbështetjen e fuqishme që për këtë protestë ka ardhur nga shumë subjekte politike, fetare e të shoqërisë civile nga Prizreni dhe më gjerë, ka thënë se kjo është protesta e parë e pasluftës, ku të gjithë jemi bashkë dhe pa dallim etnie,feje apo orientim politik.

“Nuk e duam këtë ligj për Prizrenin, sepse poqëse miratohet ai, ky do të jetë tubimi i fundit i mundshëm i qytetarëve të Prizrenit në këtë vend”, ka thënë Çeku, duke shtuar se shoqëria civile në Prizren, prej vitit 2009 po reagon ndaj këtij ligji diskriminues, mbase edhe me mbledhjen e mbi 10 mijë nënshkrimeve që janë dorëzuar në Parlamentin e Kosovës.

“Mirëpo, të gjitha këto, për fat të keq deri më tash janë injoruar”, ka theksuar Hajrullah Çeku, i cili ka paralajmëruar se nëse ky ligj miratohet, do të pasojë ankesa në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës si dhe mosbindja qytetare për zbatimin e tij.

Në emër të KMLDNJ-së në Prizren, këtë reagim qytetarë e ka mbështet Koordinatori i këtij Këshilli, Bashkim Kajdomçaj. Ai ka thënë se nëse ky projektligj miratohet në këtë formë dhe përmbajtje e federalizon pushtetin në Prizren duke i krijuar dy njësi institucionale, atë ekzistuese dhe tjetrën të Qendrës Historike.

“Shkelja e vullnetit të qytetarëve, paraqet shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut, ndaj Besojmë fuqishëm se institucionet shtetërore të Kosovës do të jenë të vëmendshme në domosdoshmërinë për të dëgjuar kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Kajdomçaj, duke shtuar se KMDLNJ përkrah këtë protestë paqësore në Prizren si dhe të gjitha kërkesat e parashtruara në lidhje me projektligjin për QKP-në.

Më e ashpër në fjalën e saj ishte përfaqësuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, e cila kërkoi që të mos preket Prizreni. “Me këtë ligj po kërkohet me u shkatërrua një vlerë që nuk i takon vetëm Prizrenit, por gjithë Kosovës, sepse ky ligj është e kundërta e asaj që është Prizreni”, ka thënë Rogova, duke shtuar se nuk do të lejojmë që të luhet me Prizrenin.

“Mos e prekni Prizrenin, sepse e prekni tërë Kosovën, ngase historia dhe kultura e Prizrenit është krenaria e të gjithë neve”, është shprehur ajo.

Protesta në Prizren, ku ishin pjesëmarrës edhe qytetarë nga Kukësi dhe Tropoja, ka përfunduar me një heshtje qytetare 15 minutëshe, e cila, siç thanë organizatorët e këtij reagimi të qetë qytetarë, do të jetë heshtja e fundit për këtë çështje, sa të rëndësishme, aq edhe të ndjeshme për të gjithë ne./zeri/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat