Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka shqyrtuar Raportin e Policisë së Kosovës për ngjarjet e 14 janarit, gjatë protestave të organizuara nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’, në Merdare dhe Dheu i Bardhë.
Disa nga anëtarët e Komisionit paraqitën vërejtje të shumta në këtë raport duke theksuar se posedon evidenca të pasakta.
Deputeti Rexhep Selimi, ka thënë se në raport ka tendenca të animit politik dhe se Policia e Kosovës ka zbatuar një urdhër të keq.
Disa nga anëtarët tjerë të komisionit vlerësuan se raporti paraqet në pah zhvillimet e 14 janarit dhe veprimet e PK-së, duke theksuar se Policia e Kosovës ka zbatuar ligjin.
Pas një diskutimi të gjerë rreth këtij raporti, anëtarët e komisionit kanë nxjerr disa konkluzione dhe rekomandime.
“U tha se Raporti i dorëzuar në Komision nga Drejtori i Përgjithshëm i PK-së është raport i bazuar në rrjedhat e protestës së 14 Janarit dhe përmban të dhëna për veprimet policore sipas planit operativ të përpiluar paraprakisht. Përpos raportit policor, Komisioni ka edhe informacione të ndryshme lidhur me rrjedhjen e ngjarjeve”, thuhet në kumtesë.
Sipas kumtesës në mbledhje u theksua se janë identifikuar disa raste individuale ku ka dyshim të bazuar për tejkalim autorizimesh nga ana e PK-së dhe se këto raste individuale, qoftë nga pjesëtarë apo eprorë të PK-së, për asnjë çast nuk duhet të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, kundruall qytetarëve të vendit.
Më tej anëtarët e komisionit theksuan se deri javën e kaluar janë hapur për hetim katër raste; tri raste janë dërguar në Drejtorinë për Standarde Profesionale në PK dhe një rast është duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës. Rastet tjera ende janë në hetim preleminar.
Anëtarët e komisionit kanë nxjerrë këto rekomandime: Raporti i PK-së duhet të plotësohet me të dhëna të sakta statistikore të cilat duhet të përfshijnë numrin dhe natyrën e lëndimeve të pjesëtarëve të PK-së dhe protestuesve, arrestimin e Deputeteve të Parlamentit të Kosovës, arsyetimin për ndërhyrje në pronat private, lëndimin e gazetarëve, si dhe numrin e rasteve nën hetim lidhur me ngjarjet e 14 Janarit.
Rekomandim tjetër i komisioni është që organet përgjegjëse, Inspektorati Policor i Kosovës, si dhe Drejtoria për Standarde Profesionale pranë PK-së, sa më shpejt të jetë ë mundur të përmbyllin dhe të publikojnë rezultatet e hetimeve.
Në këto rekomandime thuhet që Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë nevojë për trajnime shtesë për menaxhimin e turmave dhe pajisje shtesë për situata të tilla, si dhe kanë nevojë të përmirësojnë nivelin e komunikimit përmes pajisjeve teknike, pasi që ka pasur pengesa teknike në komunikim në mes njësiteve përkatëse.
Gjatë këtij takimi anëtarët e komisionit kanë shqyrtuar dhe përkrahur propozim-amendamentet për Projektligjin nr. 04/L-84 për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe për Projektligjin nr. 04/L-89 për deminimin humanitar./rtk/