Përhapja e narkomanisë tek të miturit po bëhet dukuri shumë shqetësuese në Kosovë. Drejtori i qendrës “Labirinti” Safet Blakaj tha për Radio Kosovën se ka edhe fëmijë të moshës 12-vjeçare, që konsumojnë drogë.
Vetëm gjatë vitit të kaluar Policia e Kosovës ka realizuar 186 operacione dhe ka arrestuar 547 persona të dyshuar për trafikim të drogës.
“Kur i kam pasur pesëmbëdhjetë vjet kam filluar të pi marihuanë, me shoqërinë e mëhallës”, kështu e nis rrëfimin njëri nga shumë të rinjtë e Kosovës që e përdorin drogën. Jeta e këtij të riu, dikur, ishte shumë e hareshme dhe shoqëria për të ishte gjithçka në jetë. Por, një ditë, derisa po vazhdonte të shoqërohej me shokët, papritmas kishte treguar shenja të një sjelljeje krejt ndryshe. Në qoshet e errëta të lagjeve të kryeqytetit, kishte filluar të thithte marihuanë.
Në kushte anonimiteti, ai rrëfen për Radio Kosovën. ” “Duke pirë marihuanë u mësova që atë ta përdorë për çdo ditë. Më vonë, drogat tjera nuk më dukeshin të rrezikshme. Më dukeshin të lehtë, thosha që edhe këto të tjerat nuk është vështirë t’i lësh,kështu që-vazhdova”. Fillimisht kishte ndjerë kënaqësi, ndërkaq me kalimin e kohës organizmi i këtij djaloshi tetëmbëdhjetëvjeçar, ia kishte kërkuar këtë lloj helmi.
“Shoqëria e keqe të shpie në rrugë të keqe”, thotë ai, i cili sot mendon se me insistimin e shoqërisë kishte filluar të zhytej edhe më thellë në botën e narkomanisë. “Kur i mbusha 18 vjet, nisa të shoqërohesha me një shok, i cili ishte përdorues i heroinës. Ai nuk m`i tregoi vështirësitë e saj, por, përkundrazi-ma lavdëroi. Në atë kohë kam menduar se është lehtë ta lësh, sikurse bari që është lehtë ta lësh. Mendova: hajt ta provoj njëherë! E provova. Që prej atëherë, tash e tri vjet, kam mbetur me llojin heroinë”.
Narkomania në Kosovë është në rritje. Mirëpo, deri më tash asnjë institucion nuk ka të dhëna të sakta për përdoruesit e drogës, e as për sasinë e konsumimit të saj në vendin tonë. I vetmi institucion që merret me rehabilitimin e tyre është qendra mediko-psikoterapeutike “Labirinti”. Drejtori i saj, Safet Blakaj, tha për Radio Kosovën se, që nga viti 2002, kur edhe ishte themeluar kjo qendër, nëpër të kanë kaluar një numër i madh i të rinjve, që kanë kërkuar ndihmë dhe rehabilitim.
“Deri më tani, të regjistruar në qendrën tonë, si përdorues të substancave narkotike, dhe të cilët kanë probleme me drogën, kur po them kanë problem me drogën - kjo do të thotë se, vetëm ata persona janë të regjistruar tek ne, është 960”, thotë Safet Blakaj.
Fillimisht, mosha mesatare e përdoruesve të drogës ishte më e lartë. Por, më shqetësues mbetet fakti se përdoruesit fillojnë të kërkojnë ndihmë pas pesë apo dhjetë vjetësh të fillimit të përdorimit.
“17 vjeçe është mosha mesatare e atyre që kanë filluar përdorimin e drogës. Ndërsa, mosha e atyre që janë bërë të varur nga droga është 21 vjeçe. Momenti i paraqitjes në qendrën tonë, do të thotë është një distancë, sa i përket moshave. E çuditshme! Le të themi se, mosha mesatare e fillimit të përdorimit është 17 dhe mosha e paraqitjes për herë të parë për tretman është 28, kjo do të thotë se është distancë shumë e gjatë”, shprehet Blakaj.
Dita-ditës mosha e atyre që e konsumojnë drogat, po bie. Kjo është mjaft shqetësuese dhe virus shumë i keq për shoqërinë tonë, thotë Blakaj.
“Mosha e fillimit të përdorimit tashmë ka rënë dukshëm, posaçërisht gjatë viteve 2010, 2011. Është vërejtur tendencë e madhe e rënies së moshës së atyre që përdorin droga. Le të themi se, tashmë ka edhe të moshës 12-vjeçare, dhe rastet që paraqiten tek ne, edhe pse nuk janë të shumta, mirëpo raportimi i përdoruesve të drogave, edhe i atyre të moshave të reja, tregon se kjo është shqetësuese për ne, pra-fillimi i përdorimit të drogave në moshën 12 -vjeçare”, shton më tej Safet Blakaj.
87 për qind e atyre që janë bërë të varur nga ky helm, fillojnë me marihuanë dhe përfundojnë me heroinë. Një fat të hidhur e kishte përjetuar edhe një nënë, e cila sa nuk ishte çmendur kur kishte kuptuar se i biri i saj, 16-vjeçar, përdorte drogën. E shqetësuar, ajo rrëfen për Radio Kosovën, se si i kishte ardhur në shtëpi i biri i saj, i trusur, në një mbrëmje të ftohtë janari.
“Unë nuk dija asgjë se çka po bëhej me djalin. Vija nga puna-e gjeja të shtrirë, kur kthehej nga shkolla dukej sikur i tronditur. Unë nuk dija se çfarë po ndodhte. Një ditë hyri në dhomën tjetër dhe vuri parfum, shpejt e shpejt, që të mos e vëreja. Unë hyra shpejt dhe e pyeta pse po vinte parfum? Më tha: mami, jam djersitë! I thash: hukat!, ndërkaq kur ai veproi si e urdhërova, ndjeva t’i vinte një erë e keqe”, rrëfen më tej kjo nënë fatkeqe.
Droga është një substancë që sjell ndryshime fizike dhe psikologjike në organizmin e njeriut. Ndërkaq, përdoruesit e varur nga kjo, shkaktojnë probleme të shumta edhe në ambientin familjar.
“Kurrë në jetën time nuk më ka thënë asnjë fjalë të keqe, as në shtëpi, e as në shkollë. Ndërsa, kur ka filluar të pijë drogë, jo vetëm që ka filluar të më bërtas, por për flokë me ka kapur dhe me ka shëtitur herë në një dhomë, e herë në tjetrën. Atyre çasteve jam munduar të jem e qetë, sepse nuk kam dashur që djali të bëjë vetëvrasje. E ka thyer televizorin, ka thyer xhama, ka thyer gota”, vazhdon rrëfimin kjo nënë, biri i së cilës ka varëshmëri nga drogat tash e tre vjet.
Djali i saj ishte nxënës shembullor, por brenda një kohe të shkurtër kishte ndryshuar suksesin, nga nota 5 në 2, dhe pastaj edhe ishte përjashtuar nga shkolla. Ndërkaq, parashikimet e kësaj nëne se, djali i saj, shumë shpejt do të hynte edhe në punë më të këqija, ishin konstatuar menjëherë. Derisa po qëndronte në shtëpinë e saj, në një mbrëmje, bie zilja e telefonit.
Policia e lajmëruan se i biri i saj ishte arrestuar, për shkak të një vjedhjeje në qytet.
“Kur shkova në polici, më pyetën se çfarë të bënin me djalin tim? Bëni ç’të doni, sepse unë nuk di ç’të bëj me të!, ju thash. Djali më shikoi i habitur. I thash se isha munduar ta ndihmoja, por nuk mundja më tej. Policëve u thashë të vepronin sipas rregullave. Qe 17 vjet unë mundohem për të, dhe tash ai të përfundoi tragjikisht, unë nuk po mundem ta marrë me mend”, rrëfen e trishtuar kjo nënë.
Duke e parë të birin e saj të vetëm në këtë gjendje, ajo e pranon se nuk di si të reagojë.
“Lëre se po i humbin fëmijët e Kosovës, por po i humbin edhe prindërit. Po shkatërrohet një familje. Mua më ka humbur vetëdija, më ka humbur drejtimi, më ka humbur memoria. Emrat e njerëzve nuk po ua di. Në punë nuk po di të punojë. Nuk jam mirë psiqikisht”.
Pavarësisht kushteve të rënda ekonomike me të cilat po përballet shoqëria jonë në këtë kohë, megjithatë, të rinjtë gjejnë forma se si ta blejnë drogën. Safet Blakaj thotë se, droga nuk i njeh kufijtë e të pasurve dhe të varfërve, nuk njeh kufij racial apo etnik. Ajo është gjithëpërfshirëse. Në Kosovë ka raste kur drogën e konsumojnë nga i pasuri e deri te lypsarët në rrugë.
“Se si vijnë deri tek paratë për tu furnizuar me drogë-kjo është një problematikë e veçantë dhe shumë interesante. Edhe prej atyre pak parave që marrin për sandviç, apo për ndonjë lëng, katër ose pesë prej tyre, mblidhen dhe e blejnë drogën e caktuar, dhe kjo është njëra prej atyre gjërave më të thjeshta. Pra, dilerët tashmë po e zvogëlojnë sasinë e drogës, në mënyrë që edhe fëmijëve t`ua mbledhin ato para që i kanë për ushqim, ose që u jepen për ndonjë gjë tjetër. Kjo është një problematikë interesante që zhvillohet tek ne. Pra, shitësit e copëtojnë në sasitë më të imta të mundshme drogën, në mënyrë që, dikush që i ka tri-katër euro, eventualisht pesë, dhe ta blejë sasinë e nevojshme për të”, thotë Safet Blakaj.
Psikologia, Dafina Muçaj, thotë se janë shumë faktorë që po ndikojnë në përhapjen e fenomenit të përdorimit të drogës tek të rinjtë, sidomos tek moshat e mitura.
“Studimet e nivelit botëror thonë se, ajo çka ndikon në përdorimin e drogave, më së shumti është kureshtja. Madje, ndikimi i bashkëmoshatarëve, është një prej faktorëve të rëndësishëm që ndikon tek një i ri për ta nisur drogën. Pra, ka faktorë të ndryshëm, por në vendin tonë, mendoj se njëri prej faktorëve është qasja e lehtë tek drogat dhe çmimi shumë i ulët i substancave narkotike”, shprehet psokologia Muça.
Edhe Policia e Kosovës pranon se përdorimi i drogave në Kosovë është dukuri mjaft shqetësuese. Zyrtarë policorë pohojnë se gjatë vitit 2011kanë ndërmarrë disa operacione për parandalimin e kësaj dukurie.
“Nëse i referohemi vitit të kaluar, pra vitit 2011, ne kemi pasur të arrestuar, gjithsej 547 persona, të cilët kanë qenë të përfshirë në mbajtje, posedim apo trafikim të substancave narkotike. Po ashtu, kemi pasur të realizuar 186 operacione të veçanta, përveç punëve ditore operative të policisë, që janë realizuar gjithmonë në funksion të kapjes së personave, apo grupeve, të cilat merren me trafikimin e substancave narkotike”, tha për Radio Kosovën, Brahim Sadria i Policisë së Kosovës.
Por, cila mund të jetë zgjidhja për largimin e rinisë nga ky fenomen? Psikologët dhe policia mendojnë se, informimi i drejtë për pasojat që sjell droga, mund të jetë një element për shmangien e gjithë kësaj të keqeje.
“Duhet të krijohet një sistem, që për çdo vit, të ketë ligjërata, në kuptimin e informimit të të rinjve. Nëse nuk mund të bëjmë diçka si shoqëri, atëherë t`i informojmë për pasojat, rreziqet, infeksionet e ndryshme që sjellin drogat. Edhe jetën sociale, si shoqëri, mendoj se mund ta ndryshojmë. Pra, në mënyrë të pandërprerë duhet të informojmë për këtë dukuri, nëpër shkolla dhe jo vetëm në ato të mesme, por edhe në filloret, sepse fëmijët aty kanë filluar, tashmë, të eksperimentojnë me drogat”, shprehet psikologu Safet Blakaj.
“Viteve të fundit vërehet një tendencë, sidomos te familjarët, të cilët raportojnë raste kur vërejnë se fëmijët e tyre janë të varur prej substancave narkotike. Këto raste trajtohen prej policisë, në aspektin kriminalistik, mirëpo, bashkëpunimi i policisë me agjencionet tjera, ndikon që këto raste të marrin një drejtim kah zgjidhja e rastit. Ne apelojmë tek të gjithë qytetarët që të mos hezitojnë, por të bashkëpunojnë me policinë, sepse rastet do të trajtohen me profesionalizëm dhe me konfidencialitet të plotë”, thotë zyrtari i Policisë së Kosovës, Brahim Sadria.
Për dallim nga psikologët dhe policia, nëna ka një mesazh më të veçantë.
“Shkollat duhet të merren më së shumti më edukimin, të cilit, fatkeqësisht, nuk po i kushtojnë shumë rëndësi. Secili fëmijë që e lë shkollën, diçka fshihet pas tij. Kjo është punë e poshtër! Edhe nëse djali im bëhet me famë botërore, unë nuk do t’ia fsheh të këqijat që po i bënë”, thotë nëna fatkeqe.
Edhe i riu, që dikur i hyri një bote krejtësisht tjetër, ka një porosi për të gjithë bashkëmoshatarët e tij. “Sa ma larg t`i largohen edhe barit, sepse bari është njëri ndër shkaktarët që shtyn për t`i përdorur edhe drogat më të rënda. T’ju largohen drogave, sa më shumë, dhe t`i lajmërojnë policinë, nëse dinë ndonjë vend ku shitet droga. Këtyre substancave, t`ju largohen sa më shumë, sepse më vonë kanë për t’i rënë pishman”!.(Pajazit Krasniqi)/rtk/