Plaçkiten nxënësit e “Gjin Gazullit”

Për të qenë të sigurt në orët e mësimit, nxënësit e Shkollës së Mesme Elektroteknike “Gjin Gazulli” në Prishtinë, detyrohen të paguajnë çdo gjysmëvjetor nga tri euro, me të cilat mjete paguhen punëtorët që bëjnë sigurimin e shkollës. Duke pasur parasysh numrin prej 1.700 nxënësve, i bie drejtoria e shkollës të grumbullojë 10 mijë e 200 euro, kurse sigurimin e shkollës e bëjnë vetëm dy punëtorë.

Nxënësit, por edhe shumica e prindërve të tyre konsiderojnë se po plaçkiten nga shkolla.

Nxënësi i klasës 11/7 dhe njëherësh edhe sekretar i kryesisë së shkollës, Egzon Pacolli, ka thënë për gazetën “Lajm” se kanë një numër shumë të madh ankesash nga nxënësit rreth çështjes së pagesave për sigurimin.

“Ata janë të mendimit se kjo është e padrejtë dhe gjithashtu e papërballueshme. Sigurimin do të duhej ta rregullonte vetë shkolla, komuna ose ministria. Shuma prej tri eurosh, sipas tyre, është shumë e madhe”, ka thënë Pacolli.

Gazeta “Lajm”, dje ka tentuar të marrë prononcimin e drejtoreshës së Shkollës së Mesme “Gjin Gazulli”, Hajrie Shaipi, por ajo nuk ka shprehur gatishmërinë për të biseduar, duke thënë se është e zënë.

Derisa,  çështja e sigurisë në shkollë ka shkaktuar kundërthënie, as komuna, as Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk e marrin përgjegjësinë e plotë. Zyrtarë nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se sigurimin mund ta bëjnë vetëm shkollat vullnetarisht, pasi që nuk kanë mjete të mjaftueshme për të paguar sigurimin e shkollave. Ndërsa në Ministrinë e Arsimit thonë se kompetencat tanimë ua ka kaluar drejtorive komunale, por ndajnë mjete edhe për aspektin e sigurisë, të cilën e kanë të rregulluar për kokë të nxënësit. Për më tepër, sipas tyre, detyrimi i nxënësve për të paguar sigurimin është i jashtëligjshëm.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit komunal të Arsimit në Prishtinë, Halim Halimi, ka thënë se për dy muaj aq sa është në krye të drejtorisë së arsimit, shkollat e mesme në kryeqytet e kanë sigurimin e vet.

“Shkollat, financat për sigurim i sigurojnë nga mjetet që i grumbullojnë prej aktiviteteve të sallës së edukatës fizike. Ne nuk kemi mjete për t`iu ndarë. Po kemi problem me sigurimin e pagave të mësimdhënësve, e lëre më për sigurimin e shkollave”, ka thënë Halimi.

Ndërkaq, ai nuk ka qenë i sigurt nëse MASHT-i ndan mjete për këtë sektor.

“Të them të drejtën, nuk e di që ministria ndan mjete për këta. Që dy muaj jam drejtor, ndoshta qenka ashtu. E për rastin në ‘Gjin Gazull’ nuk mund të them as që është shumë e madhe e as e vogël, por do ta analizojmë edhe këtë”, ka thënë Halimi për “Lajm”.

Në anën tjetër, këshilltari për medie në MASHT, Ragip Gjoshi, ka thënë për “Lajm” se janë drejtoritë komunale ato, të cilat kujdesen për sigurinë e objekteve shkollore dhe për të gjitha këto janë përgjegjëse drejtoritë komunale.

“Ato e vlerësojnë nëse duhet të ruhet një objekt shkollor apo nuk duhet të ruhet. Mjetet ndahen sipas formulës së financimit nga ministria, ku sipas udhëzimit administrativ mjetet ndahen për kokë të nxënësit dhe u mbetet shkollave, që të rregullojnë shpërndarjen e atyre mjeteve”, ka thënë ai.

Por, Gjoshi ka thënë se detyrimi i nxënësve për të paguar sigurimin është i patolerueshëm dhe i kundërligjshëm.

“Në këto raste ministria përmes inspeksionit i anulon ato vendime, pasi që janë të jashtëligjshme”, ka thënë Gjoshi.

Ndërsa, Halim Hyseni, ekspert për çështje të arsimit, ka thënë se një gjë e tillë është shumë e padrejtë, pasi që janë mekanizmat e caktuar që do të duhej të zgjidhnin çështjen e sigurisë në shkolla.

“Nuk do të duhej assesi nxënësit të paguajnë për garantimin e sigurisë në shkollë. Ky është një paradoks. Mendoj se kjo është edhe ekundërligjshme”, ka thënë Hyseni. /Lajmonline/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat