Zyra për informim e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) sqaron se në QKUK nuk janë ndërprerë ndërhyrje kirurgjike siç shkruajnë disa media, por janë reduktuar vetëm operacionet e karakterit jo emergjent.
“QKUK-ja, nuk ka shpallur gjendje emergjente, por ka reduktuar shërbimet e karakterit jo emergjente dhe gjendet në gatishmëri, përderisa sallat operative emergjente dhe sallat e lindjes janë në funksion të plotë”, thuhet në komunikatën e QKUK-ës.
Të ftohtit dhe acari i madh, siç thuhet në komunikatë, ka shkaktuar vështirësi në punë, por falë lëshimit në punë të ngrohtores alternative me naftë, është siguruar ngrohje e mirë për Klinika dhe Reparte, edhe pse kjo është e kushtueshme për buxhetin e QKUK-së.
“Nga të ftohtit kemi pasur telashe teknike si në rrjetin e ujësjellësit dhe në radiatorët e ngrohjes. Ekipet teknike janë në gjendje gatishmërie dhe po sanojnë defektet e mundshme teknike”, njoftohet më tej.
QKUK-ja, përmes një shkrese zyrtare ka kërkuar nga Drejtorët e Klinikave dhe instituteve të reduktojnë shpenzimet e energjisë elektrike dhe të ngrohjes, përderisa është kërkuar që në Reparte të pranohen vetëm rastet emergjente. /Zëri/
QKUK ndërpret të gjitha ndërhyrjet kirurgjike
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka ndërprerë të gjitha ndërhyrjet kirurgjike, për shkak të temperaturave të ulëta.
Zyrtarë të Qendrës bëjnë të ditur se gjatë ditës pritet të shpallin gjendje emergjente teknike.
Kjo gjendje është shkaktuar si pasojë e problemeve në ngrohtoren e qendrës.
Drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi në Ministrinë e Shëndetësisë po diskuton me ministrin Ferid Agani për të gjetur mundësitë e tejkalimit të kësaj situate. /rtk/