Një person ka humbur jetën mbrëmë në Prishtinë, më saktësisht, ai ka vdekur në Veternik, ku Policia e Kosovës e ka gjetur të vdekur në kamionin e tij.
Policia e konfirmon rastin si vdekje e dyshimtë, ndërsa kanë pohuar se më tutje me këtë rast merret mjekësia ligjore, e këta të fundit edhe pse e kanë marrë kufomën ende nuk kanë marrë urdhëresën nga Gjykata për të bërë autopsinë.
Arsim Gërxhaliu, pohon për Kosovapress se ky problem i vonesës nga urdhëresa e Gjykatës është bërë i zakonshëm, duke shpjeguar se posa ta kenë urdhëresën, dy orë më pastaj do të përfundojnë autopsinë e të ndjerit.
Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se i ndjeri ishte maqedonas dhe ndodhej në Kosovë për punë, pra kishte sjellë mall me kamion nga vendi i tij në Kosovë. Gjithashtu mësohet se për shumë kohë ishte mundur të rregullonte zinxhirët e kamionit të cilin e drejtonte, derisa po mundohej të shkonte për në Maqedoni sërish.
Të njëjta burime bëjnë të ditur se ai ishte mbi moshën 50 vjeçare dhe se është gjetur i vdekur mbi timonin e tij, e mjetet e punës janë gjetur gjithandej ku ai ishte munduar të rregullonte zinxhirët e gomave, ku dyshohet se vdekja e tij ka ardhur nga të ftohtit, deri sa punonte./Kosovapress/