Prokuroria e Qarkut në Prizren e ngarkon të pandehurin me veprën penale të Rrezikimit të trafikut publik, për shkak të dehjes, të paraparë në nenin 298, para3/1 të KPK-së.
Pas leximit të aktakuzës, i akuzuari deklaroi se e ka pranuar fajësinë qysh në seancën e procedurës paraprake. “Edhe sot, dhe çdoherë, do ta pranojë fajësinë për këtë vepër”.
Prokurori Publik i Qarkut në Prizren, Agron Matjani, në fjalën përfundimtare deklaroi se është vërtetuar në tërësi gjendja faktike, se i akuzuari ka kryer veprën penale të rrezikimit të trafikut publik dhe atë në gjendje të dehur. “Unë i propozoj trupit gjykues që atë, ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit”.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Hamit Gashi, tha se e përkrahë në tërësi fjalën përfundimtare të prokurorit dhe si palë e dëmtuar tha se i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarit.
Ky gjykim, është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës, dënimi paraprak ka qenë një vit e tetë muaj.
“Ne si palë e dëmtuar e kemi goditur aktgjykimin paraprak, sepse kemi konsideruar se dënimi ka qenë i ulët. Mënyra se si i ndjeri ka ndërruar jetë, ka qenë rrëqethëse për familjen dhe sot e asaj ditë familjarët e të dëmtuarit nuk kanë mund të rehabilitohen nga kjo fatkeqësi. I ndjeri ishte 30 vjeç, kishte bashkëshorten, prindërit, vëllezërit dhe motrat, të cilët janë shumë të shqetësuar. Andaj me këtë rast, nga trupi gjykues kërkoi që ndaj të njëjtit të shqiptohet një dënim sa më i ashpër”, tha avokati Gashi.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokat Iljaz Kadolli, tha se është e ditur që veprat penale të rrezikimit të trafikut publik edhe në rastet kur janë nën ndikimin e alkoolit, kryen pa dashje, ai madje tha se kemi pasur shumë raste të tilla, mirëpo familjet janë pajtuar mes vete dhe ja kanë falur gjakun. “Në këtë rast, po më habit fakti se si familja e dëmtuar kërkon dënim më të ashpër”.
“I akuzuari e ka pranuar fajësinë dhe është penduar thellë për veprën e shkaktuar dhe me një dënim të paraparë në minimum të kësaj vepre do të arrihej efekti i dënimit, kjo sidomos duke pasur parasysh faktin se ne të gjithë vozisim dhe secilit nga ne mund t’ i ndodhë një rast i tillë”, u shpreh avokati Kadolli.
I akuzuari Agim Morina, në fjalën përfundimtare para trupit gjykues, shprehu keqardhje ndaj familjarëve. Ai shtoi se përkundër insistimeve të tij përmes miqve, siç e kërkon tradita, familja e të dëmtuarit nuk ka pranuar që të pajtohen dhe nuk ia kanë falur gjakun.
“E gjithë familja ime kanë qenë të ngujuar për një vit, ndërsa tani besë nuk kam vetëm unë”, tha ai.
Pas kësaj trupi gjykues, u tërhoq për këshillim dhe votim dhe brenda ditës shpalli aktgjykimin.
I pandehuri Agim Morina u shpall fajtorë dhe u dënua me burgim në kohëzgjatje prej tre vitesh.
Atij iu shqiptua edhe dënimi plotësues “Ndalimi i drejtimit të automjetit” në kohëzgjatje prej një viti. Kjo masë hynë në fuqi, pasi që të mbajë burgun.
Po ashtu, në emër të paushallit gjyqësor, i pandehuri u obligua që të paguajë shpenzimet në vlerë prej 100 euro.
Avokati mbrojtës i të akuzuarit, pas shpalljes së aktgjykimit, paralajmëroi ankesë. “Më vjen keq që trupi gjykues ka rënë nën ndikimin e palës së dëmtuar”, u shpreh ai.
“Unë po vazhdojë me qenë i ngujuar, mirëpo nuk do të ngujohem më. Këtë e kam bërë për hirë të respektit, mirëpo nga sot nuk do të ruhem më asnjëherë, sepse nuk shkon kjo punë kështu, edhe me ligj, edhe me Kanun”, tha i pandehuri, para trupit gjykues, pas shpalljes së aktgjykimit./gazetajnk/