Njëjtë siç kishte paralajmëruar portali Indeksonlien 24 orë më parë, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu – Kamishi nuk ka publikuar as edhe një fakt të vetëm për” marrëdhëniet e Albin Kurtit me serbët”. Në konferencën për shtyp ai ka përsëritur ato që ka thënë dje, se “faktet” ia ka dorëzuar kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Florin Krasniqi dhe se “faktet” do t’i dorëzojë tek organet e drejtësisë.
“Unë dje në mënyrë institucionale i kam protokolluar dhe dorëzuar kryetarit të komisionit Florin Krasniqi për korrespodencat e Kurtit me strukturat kriminale paralele të Serbisë. I mbetet Florin Krasniqit nëse dëshiron t’i publikoj të gjitha faktet për takimet dhe korrespodencat e Kurtit me strukturat serbe. Faktet tjera bashkë me dëshmitarët jam i gatshëm t’i paraqes në gjykatë apo agjencinë e Kosovës për inteligjencë”, ka thënë Kamishi.
Një pjesë të konferencës, deputeti i PDK-së e ka kaluar duke treguar historinë e nofkës së tij, duke thënë se ka pirë cigare me kamish që e ka pasur trashëgim nga gjyshi. /indeksonline/