Teknologjia informative, është një prej industrive dhe sektorëve me rritjen më të shpejtë dhe me potencialin dhe kapacitetin më të madh të mundshëm, për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës. Kështu u tha të enjten në hapjen e Panairit të parë të Teknologjisë për biznes në Prishtinë, në të cilin po marrin pjesë 20 kompani nga rajoni dhe Evropa, të cilat po i promovojnë shërbimet e tyre, në mënyrë që përmes implementimit të teknologjive të reja, ta rrisin efektivitetin e punës së tyre.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimosa Kusari- Lila, e cila bëri hapjen e këtij panairi, tha se Qeveria e Kosovës e ka identifikuar teknologjinë informative, si një ndër sektorët me rritjen më të shpejtë dhe me potencial të madh për zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit. Kjo industri dhe ky sektor, sipas saj është shumë i rëndësishëm edhe për tërheqjen e vendeve të reja të punës dhe për ndërrimin e bilancit tregtar deficitar që ka Kosova për momentin. Ky sektor dhe proceset e teknologjisë informative, siç tha Kusari janë esenca edhe e reformave që ka Ministria e Tregtisë.
Arben Jusufi, drejtor gjeneral i kompanisë “Leoron Group”, nga Dubai, i cili është edhe organizatori i panairit, tha se qëllimi i këtij panairi është që kompanitë Kosovare, të krijojnë bashkëpunim me kompanitë nga rajoni dhe Evropa, dhe përmes tyre të depertojnë në tregjet botërore.
Ndryshe, panairi i Teknologjisë për biznes “BizTech Prishtina 2012”, u cilësua si mjaftë i rëndësishëm, pasi që për herë të parë Kosova është kyç në një panair të tillë, i cili ka filluar në Shkup, po vazhdon sot dhe nesër në Prishtinë, dhe i cili do të përmbyllet në Tiranë, ku për një javë do të prezantohen dhe promovohen një numër i konsideruar i kompanive që janë nga sektori i informacionit, komunikimit dhe telekomunikacioneve. Panairi është duke u mbajtur në Hotel “Grand”./Kosovapress/