I pandehuri Luan Bajrami akuzohet për veprën penale të “Vrasjes”, ndërsa së bashku me Ismet Hajdarin ai ngarkohet për veprat penale: “Vrasje në tentativë ” dhe “Mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.
Qëndrim Hajdari, 19-vjeçar, tashmë i ndjerë, së bashku me babain e tij Ismetin ishin duke ujitur livadhin, pronë e familjes, kur ishin takuar me bashkëfshatarin e tyre, Luan Bajramin, tani i pandehur.
Pas një mosmarrëveshjeje dhe konflikti verbal të atypëratyshëm, i pandehuri largohet me makinën e tij për ta marrë armën në shtëpi. Kur kthehet në vendin e ngjarjes, ai dhe Ismeti shkëmbejnë të shtëna nga armë zjarri. Të dy mbesin të plagosur. Ashtu i shtrirë, Luani godet për vdekje të riun Qëndrim Hajdari, tri herë në kokë dhe një herë në bark.
Fqinji i tyre, Sadri Syla, i cili qëllon në afërsi e dërgon të pandehurin në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë për t’i dhënë ndihmën mjekësore.
Nga goditja që ka pësuar në kokë, Ismeti gjendet në mjekim në shtëpi dhe prokuroria e ka pezulluar përkohësisht procedurën ndaj tij.
Në seancën që është mbajtur në Gjykatën e Qarkut në Pejë, prokurori publik e ka lexuar aktakuzën dhe ka ofruar provat me të cilën e mbështet pretendimin e tij në tri pikat e saj. Ai i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat penale që ngarkohet dhe ta dënojë sipas ligjit.
Në anën tjetër, i pandehuri ka deklaruar se e pranon fajin vetëm në pikën e tretë të saj, sa i përket armëmbajtjes pa leje, ndërsa e kundërshton vrasjen dhe tentimvrasjen.
“Nuk mund ta pranoj fajin për atë që nuk e kam bërë. Unë e pranoj që kam pas armë, por nuk kam bërë vrasje”, deklaroi Bajrami.
Avokati mbrojtës i të pandehurit, Haxhi Çekaj, kërkoi që seanca të shtyhet në mungesë të dëmtuarit Ismet Hajdari.
“Nuk mund të vazhdohet gjykimi vetëm ndaj të pandehurit të pranishëm, pasi që edhe i dëmtuari akuzohet për dy vepra penale lidhur me të njëjtin rast. Po ashtu, nuk duhet të na ikë mundësia që dëshmitarët e pranishëm të merren në pyetje, në prani të dy të pandehurve”, deklaroi ai.
Mbrojtja kërkoi që Hajdarit t’i bëhet një ekzaminim mjekësor dhe të shikohet se a ka pasur përmirësime të shëndetit të tij, pas plagosjes.
Prokurori publik e ka përkrahur propozimin e mbrojtjes. “Edhe se procedura ndaj tij është pezulluar përkohësisht për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, nëse ekzaminimi mjekësor rezulton me përmirësim të shëndetit mental dhe fizik, atëherë prokuroria do të ndërpresë pezullimin”.
Ndërkaq, bashkëshortja e të dëmtuarit, Xhyke Hajdari, deklaroi se nuk ka asnjë shenjë përmirësimi në shëndetin e të dëmtuarit.
Trupi gjykues shtyri seancën në afat të pacaktuar, derisa ekipi ekzaminues i mjekëve të sjellë rezultatin e gjendjes mentale dhe fizike të të dëmtuarit. Seanca e ardhshme do të konvokohet pas marrjes së këtij rezultati./gazetajnk/