Dy të vdekur, dyshohet edhe për gjashtë të tjerë

Një ortek bore, me thellësi 10 metra dhe me gjerësi 500 metra ka goditur 15 shtëpi, të cilat gjenden në anën e djathtë të fshatit Restelicë të komunës së Dragashit. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëvendës-ministrisë si Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shemsi Veseli. Ai ka thënë se “si pasojë e këtij orteku, vdekjen e kanë gjetur të paktën 2 persona, ndërkaq, që dyshohet se të paktën edhe 6 persona të tjerë gjenden të mbuluar me borë”.

“Orteku në fshatin Restelicë i ka vërshuar ato 15 shtëpi, në orën 7: 30 të mëngjesit. Sipas informatave të konfirmuara, deri më tash janë gjetur 2 kufoma. Është një mashkull, i lindur më 1958, me inicialen e emrit N. Reka, mbiemrin ashtu siç ne i kemi të dhënat dhe është një kufomë tjetër e gjinisë femërore, mosha e të cilës nuk konfirmohet. Dyshohet që së paku, tash për tash, janë edhe 6 persona në dëborë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Veseli.

Në vendngjarje, për të ndihmuar për largimin e borës dhe shpëtimin e mundshëm të banorëve të goditur nga orteku, kanë dalë njësitë e FSK-së, të Policisë së Kosovës dhe banorët lokal. Veseli ka bërë të ditur se në Restelicë kanë shkuar njësitë e gjenios, njësitë për kërkim-shpëtim, njësia për dhënien e ndihmës mjekësore dhe njësia për menaxhimin e krizave.

“Për momentin, uroj fatin për ata persona të cilët janë të përfshirë nën dëborë, që të jenë në ndonjë pjesë ku kanë mundur të strehohen dhe që orteku nuk ka mundur t’i përfshijë dhe gjithmonë me shpresën që do të arrijmë me kohë që të mund t’i nxjerrim. Ndoshta do të jetë ndonjë prej tyre që do të jetë i gjallë. Do të bëhet maksimumi që me të gjitha ekipet e mundshme të nxirren ata”, ka sqaruar Veseli.
Ndryshe, dyshohet se janë edhe 11 persona nën borë, anëtarë të  familjeve, të cilat i ka goditur orteku i borës./rel/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat